Ilustrim

Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës pikë të rendit të ditës monitorimin e çmimeve të teksteve shkollore në treg

Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje si pikë e rendit të ditës është njoftuar se ka qenë edhe “çështja e monitorimit të çmimeve të teksteve shkollore, në mënyrë që të sigurohet dhe të mos ketë abuzim me çmime”.

Për vitin shkollor 2023/2024 Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka vendosur që librat shkollor të blihen nga prindërit, të cilëve do t`u barten nga 80 euro nga buxheti i shtetit.

MASHTI ka hapur platformën përmes së cilës prindërit do të aplikojnë për paratë.

Në mbledhjen e 31 gushtit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës janë marrë edhe dy vendime të tjera që lidhen me kompaninë MTS.

“Komisioni shqyrtoi dy kërkesat e ndërmarrjes MTS. Kjo ndërmarrje kishte bërë kërkesë në AKRK që të përjashtohet nga procedura për lëndën e saj, drejtori i përgjithshëm, z. Selajdin Beqa. Kjo kërkesë e MTS-së, u shqyrtua dhe me vota unanime të Komisionit u refuzua me arsyetimin se e njëjta nuk ka bazë ligjore. Ndërsa në kërkesën e dytë të MTS-së për shtyrjen e seancës dëgjimore e caktuar për datën 04.09.2023, Komisioni ka vendosur që e njëjta të aprovohet dhe seanca e radhës të mbahet më datë 19.09.2023”- thuhet në njoftim.

Autoriteti i Konkurrencës kishte nisur hetim ndaj MTS nën dyshimin se kjo ndërmarrje ka realizuar shitblerje të aksioneve në treg në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.