Bekim Jashari i uron ditëlindjen babait të tij, Hamëz Jasharit

Sot me rastin e ditëlindjes së 69-të të heroit, Hamëz Jashari, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari  ka vendosur lule mbi varrin e babait të tij.

Bekim Jashari, i biri i heroit, është shprehur se babai e ka mësuar se sa e vlefshme është liria dhe si duhet të sakrifikohet për të.

“Ti dhe vëllai yt, që më vonë do të njihet si Komandat Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkërisht ideologë të saj, u bëtë mësim për gjeneratën Tuaj dhe të tjerat që do t’iu pasojnë, për atdhedashurinë”, ka shkruar Jashari në një postim në ‘Facebook’.

“Ti më mësove mua dhe të tjerët se sa e vlefshme është liria, si mund të sakrifikohet për liri, sa shumë duhet të angazhohemi për të ndërtuar vendin, për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, thuhet mes tjerash në postimin e të parit të Skenderajt.

Tutje ai në këtë postim, u shpreh mirënjohës ndaj babait të tij.

“Për çdo ditë, mua më shumë më lartësohet personaliteti yt, i papërshkrueshëm për mirësinë dhe thellësinë e mësimeve me shembuj personal”.

“Do të jem përgjithmonë mirënjohës ndaj Teje, që ma mundësove të vazhdoj gjurmëve tua në rrethana të reja, të ekzistoj dhe të shkruaj për Ty, në atdheun tonë të dashur!”, është shprehur kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, me rastin e ditëlindjes së babait të tij, heroit Hamez Jashari.

Ndërkaq, sot në Skenderaj janë mbajtur edhe disa aktivitete me rastin e heroizmit të Jasharit.