Avdullah Hotit i Shtohet Pasuria

Në deklarimin e pasurisë së këtij viti të kandidatit të LDK-së për Kryeministër , Avdullah Hoti, krahasueshëm me një vit më parë, të hyrat vjetore i janë shtuar për 8 mijë euro, e bashkë më to edhe paratë e gatshme rreth 6 mijë euro.

Në deklarimin e pasurisë së vitit 2017, Hoti ka deklaruar 25 mijë euro, ose rreth 6 mijë euro më shumë se në vitin 2016, kur ai kishte deklaruar mbi 19 mijë euro para të gatshme të tij, bashkëshortes dhe fëmijëve.

Njësoj si në vitin 2016, edhe në vitin 2017, Hoti si pasuri të paluajtshme i ka deklaruar edhe dy banesa në vlerë 128 mijë euro dhe pasuri të luajtshme- veturë në vlerën prej 5 mijë e 800 eurove.

Burimi i këtyre të ardhurave, siç shkruan në deklarimin e pasurisë, është paga e tij si ministër dhe pagat si profesor i asocuar në dy fakultete, qiraja e një banese si dhe paga e bashkëshortes, të cilat arrijnë brenda vitit në 51,198 euro, ose 8 mijë euro më shumë se në vitin e kaluar, kur të hyrat vjetore i kishte 43,113 euro.