Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Rektori dhe zyrtarë administrativ në UP janë paguar për punët jashtë orarit, pa siguruar dëshmi

Zyrtarët më të lartë të Universitetit të Prishtinës dhe një pjesë e stafit administrativ, kanë marrë pagesa për punët e kryera jashtë orarit, por nuk kanë mundur ta dëshmojnë këtë dhe kjo për Zyrën Kombëtare të Auditimit, paraqet shkelje.

Në gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se Këshilli Drejtues i programit “Avancimi dhe Kualifikimi i Mësimdhënësve”, dhe stafi administrativ janë paguar çdo muaj, për punët e kryera jashtë orarit të rregullt të punës.

“Me vendimin Nr. 690 të datës 18.04.2016, kryetari i Këshillit Drejtues të AKM-së kishte caktuar norma mujore për kompensime për anëtarët e Këshillit Drejtues të AKM-së si dhe stafin tjetër administrativ (tetë zyrtarë). Në janar të vitit 2020, KD i AKM-së kishte marrë vendim për përgjysmimin e shtesave, ku vlera e kompensimit për kryesuesin e KD-së ishte 295 euro në muaj, për anëtarët 245 euro si dhe për stafin administrativ, 40 euro – 150 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Universiteti i Prishtinës në vitin 2016 kishte vazhduar realizimin e programit “Avancimi dhe Kualifikimi i Mësimdhënësve”, në bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, e Rektori i UP-së ishte caktuar kryetar i Këshillit Drejtues të AKM-së.

Tutje në raportin e ZKA-së thuhet se “shkaku i këtyre vendimeve ishte se menaxhmenti i UP-së ka konsideruar se angazhimet e tilla janë punë shtesë dhe për këtë duhet edhe të kompensohen. Kompensimet e tilla nga UP konsiderohen si kompensime të rregullta të një organi mbikëqyrës i cili është përgjegjës për implementimin e programit të AKP-së në kuadër të AKM-së, i cili financohet nga MASHTI”.

Universiteti i Prishtinës është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së.

Në tetor të viti 2020, rektor në UP është emëruar Naser Sahiti, ndërsa të njëjtën pozitë deri në këtë kohë e ka mbajtur Marjan Demaj.

Rektori Sahiti ka thënë se në momentin që e ka marrë këtë pozitë është tërhequr nga bordit i Këshillit Drejtues të programit “Avancimi dhe Kualifikimi i Mësimdhënësve”.

“Unë me të marrë detyrën jam tërheqë si Rektor nga Bordi i AKM-së prandaj nuk kam pranuar asnjë pagesë”, ka thënë Sahiti për KALLXO.com

*Sqarim – më 05.08.2021, ora 13:58, artikulli është plotësuar me përgjigjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti.