Auditori konstatoi punësime të kundërligjshme nga Komuna e Gjilanit

Komuna e Gjilanit gjatë vitit 2021, sa udhëhiqej nga Lutfi Haziri kishte angazhuar persona me kontratë për shërbime të veçanta, pa i respektuar procedurat e prokurimit publik.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se Komuna e Gjilanit në vitin 2021 kishte angazhuar 103 persona me marrëveshje për shërbime të veçanta.

ZKA ka testuar pesë mostra dhe ka identifikuar se komuna nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit publik për angazhimin e tyre, ashtu siç parashihet me Ligjin për Zyrtarët Publik.

Auditori thotë se kontratat e nënshkruara mes Komunës dhe të angazhuarve ishin për tre persona të angazhuar në zyrën e Prokurimit, një në zyrën e Gjendjes Civile dhe një tjetër në Drejtorinë e Inspeksionit.

“Kjo ka ndodhur si pasojë e veprimeve jo adekuate, duke iu shmangur kërkesave të parapara me ligjin e zyrtarëve publik”, thuhet në raportin e auditimit të Gjilanit për vitin 2021.

ZKA thotë se moszbatimi i kritereve të përcaktuara ligjore për angazhimin e personave me marrëveshje për shërbime të veçanta mund të cenon parimin e konkurrencës, transparencës si dhe mund të ndikoj në diskriminimin e të tjerëve.

Auditori ka kërkuar nga kryetari aktual, Alban Hyseni, që të sigurojë se me rastin e angazhimit të personave me marrëveshje për shërbime të veçanta, të respektohen kriteret sipas legjislacionit përkatës.

Kurse, neni 84 i Ligjit për Zyrtarët Publik  përcakton se, “Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit të Shërbimit Civil nr. 03/L-149 të Republikës së Kosovës, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura. Pas kësaj periudhe, marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”.

Auditori: Ish-kryetari i Gjilanit subvencionoi një OJQ pa thirrje publike