'Tregu i Gjelbër' në Gjilan larg funksionalizimit, Auditori gjen shkelje edhe në procedura të prokurimit

Që nga viti 2019 qytetarët e Gjilanit dhe tregtarët patën premtime publike se ndërtimi i Tregut të Gjelbër do të përfundojë në vitin 2020, por tre vite nga ky premtim, funksionalizimi i këtij tregu as nuk është afër.

Kështu kishte deklaruar kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Tregu në vitin 2019, Avdyl Jerliu, që sipas tij, Tregu i Gjelbër “do të përfundojë në pjesën e parë të vitit 2020 dhe po bëhet më i miri në regjion”.

Më 28 nëntor të viti 2021, ish-kryetari Lutfi Haziri (LDK) kishte bërë inagurimin e këtij tregu, por kishte thënë se pas 3-4 ditësh do të operacionalizohet pjesa kryesore. 

Por, që nga ajo kohë funksionalizimi i këtij tregu ende nuk ka ndodhur.

Këtë çështje e ka identifikuar edhe Zyra Kombëtare e Auditorit, që përveç gjetjes se Komuna e Gjilanit për këtë treg kishte aplikuar procedurën jo-adekuate të prokurimit, por sa ishte ZKA në teren në Gjilan më 4 mars të këtij viti, kanë parë se ky projekt nuk ishte përfunduar.

“Vlen të theksohet se ky projekt ende nuk ishte përfunduar deri sa ne ishim në terren (04.03.2022), pavarësisht që sipas planit dinamik ka pas të përfundojë brenda 90 ditëve. Sipas komunës kjo ka ndodh për shkak të nevojës emergjente lidhur me investimin për tregun”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Gjilanit për vitin 2021.

ZKA ka bërë të ditur se Komuna më datën 14 mars 2019 kishte lidhë kontratë në vlerë 871,173 euro, për projektin “Ndërtimi i tregut të gjelbër në Komunën e Gjilanit”, projekt ky që sipas menaxherit të projektit nuk ka mundur të finalizohet për shkak të mangësive të sasive si dhe mungesës së pozicioneve të veçanta në paramasë dhe parallogari në raport me projektin.

Por se ky projekt kishte hasur në pengesa në ndërkohë.

“Me ç’rast menaxheri i projektit e njofton zyrën e prokurimit për pengesat e hasura në realizimin e këtij projekti.  Zyra e prokurimit, marr parasysh këtë ka konsideruar si urgjente dhe të domosdoshme kryerjen e punëve shtesë në mënyrë që mos të rrezikohet investimi si dhe nevojën e e domosdoshme të tregtarëve për tregun, aplikon procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë duke ju dërguar ftesë për negociata tre Operatorëve Ekonomik (OE)”, thuhet në raportin e auditorit.

ZKA thotë se pas kësaj, vetëm operatori fitues i cili njëkohësisht kishte kontratën bazë, e dërgon ofertën financiare.

“Pas vlerësimit të ofertës komisioni i vlerësimit rekomandon zyrtarin përgjegjës të prokurimit dhënien e kontratës. Me datën 22.04.2021, lidhet kontrata në vlerë 509,177€”, thotë raporti.

Auditori ka thënë se në këtë rast zyra e prokurimit marr parasysh kërkesat e rregullës dhe udhëzuesit do duhej të përdorte procedurën e hapur të prokurimit.

ZKA ka thënë se aplikimi i procedurës jo adekuate mund të ndikoj në dëmtimin e konkurrencës, lidhur me zhvillimin e procedurave të prokurimit.

Auditori ka kërkuar nga kryetari aktual, Alban Hyseni  (LVV) që duhet të sigurojë se aplikon procedurat e duhura të prokurimit ashtu siç parashihet me kërkesat ligjore, duke siguruar se procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë të përdoret në rrethana të arsyeshme.