Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Me paratë e destinuara për mallra dhe shërbime Komuna e Malishevës e dërgoi stafin në Shqipëri për rekreacion

Komuna e Malishevës gjatë vitit 2021 i kishte dërguar në shëtitje në Shqipëri stafin e komunës për katër ditë, me buxhetin e kategorisë për mallra dhe shërbime.

Kjo është një nga gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021.

ZKA ka thënë se për këtë aktivitet ishin shpenzuar 4,730 euro ku qëllimi i këtij udhëtimi ishte për rekreacion.

“Komuna e Malishevës kishte organizuar shëtitje jashtë vendit për stafin e saj, konkretisht në Shqipëri me kohëzgjatje prej katër ditë duke ua paguar shpenzimet e transportit dhe akomodimit për këtë aktivitet në shumë 4,730€, ku qëllimi i këtij udhëtimi ishte për çështje rekreacioni për punonjësit e komunës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori thotë se sipas Komunës, kjo kishte ndodhë për shkak të mungesës së njohurive të zyrtarëve për mos lejimin e shpenzimeve të parasë publike për këtë qëllim.

ZKA ka thënë se Ligji mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Kosovës, neni 13 pika 6, shpenzimi i parave publike nga kategoria e shpenzimeve mallra she shërbime nuk është i lejuar për pagesën e punonjësve, qoftë në formë të shtesave apo si kontribute në mall, përfshirë këtu shujtat apo dhuratat, duke përjashtuar rimbursimin apo shpenzimet e lejuara për udhëtime jashtë vendit, sipas legjislacionit përkatës.

Auditori ka theksuar se përdorimi i fondeve për qëllime tjera përveç që është në kundërshtim me ligjin e buxhetit ndikon në keq menaxhimin e parasë publike.

ZKA më tej ka rekomanduar që kryetari i ri duhet të sigurojë se çdo shpenzim i bërë nga buxheti i komunës të bëhet për aktivitete të Komunës dhe interes publik si dhe të jetë në përputhje me ligjin mbi ndarjet buxhetore të vitit përkatës.