Projekti per Fakultetin e FSHMN-së dhe Fakultetit Ekonomik

Nis ndërtimi i objektit të ri për Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe atij Ekonomik - Detaje

Ditë më parë kanë nisur punët e para për ndërtimin e Fakultetit të ri të Matematikës dhe Shkencave Matematike Natyrore (FSHMN) si dhe atij Ekonomik afër kampusit të Fakultetit Teknik.

Më 4 janar 2023, rektori i Universitet të Prishtinës, Qerim Qerimi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës,  Përparim Rama, kanë nënshkruar kontratën, me anë të së cilës Komuna e Prishtinës i ka dhënë në shfrytëzim UP-së pronën komunale për 99 vite, me qëllim të ndërtimit të objektit.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ për KALLXO.com ka bërë të ditur se projekti në vlerë rreth 14 milionë euro financohet nga BE-ja  dhe Universiteti i Prishtinës.

“Projekti i ndërtimit të objektit të FSHMN-së, financohet përmes EU IPA programi 2020 “EU4 Education and Employment”, bashkëfinancuar nga EU (8,9 mil EUR) dhe Universiteti i Prishtinës (5 mil EUR). Implementimi bëhet përmes metodës së menaxhimit indirekt, nëpërmjet United Nations Office for Project Services (UNOPS)”- thuhet nga Rektorati i UP-së.

Foto ajrore e lokacionit

Në këtë pronë, paraprakisht ka qenë në plan të ndërtohej salla e operës, por projekti nuk u realizua asnjëherë.

Bazuar në dokumentacionin ndërtimor, sipërfaqja e tërësishme për ndërtim të këtij objekti është 13,395 metra katrorë, mbi tokë janë 12,012 metra katrorë dhe nën tokë 1,483 metra katrorë.

pëlqimin e lëshuar nga Komuna e Prishtinës theksohet se lokacioni për ndërtim të këtij objekti është sipas ‘Planit Zhvillimor Urban’ është me destinim ‘Hapësirë publike’ .

Derisa, hartimin e projektit, pjesës konstruktive, instalimeve elektrike, makinerike e ka hartuar “Urban Plus” Sh.p.k, përfaqësuar nga Ilir Gjinolli dhe ekipi: Arbër Muçaj, Muhedin Morina, Gani Latifi dhe Agon Pajaziti.

Aktualisht departamentet e FSHMN-së operojnë në objetin tek objekti afër parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik. Vazhdimisht ka pasur ankesa nga studentët për mungesë të sallave, laboratoreve, pajisjeve. Derisa, Fakulteti Ekonomik ndan një objekt me atë Juridik.

Projekti per Fakultetin e FSHMN dhe Ekonomik

Diskutimet publike për ndërtime në këtë zonë, kanë filluar nga viti 2019  kurse plani për zgjerim të kampusit universitar në këtë zonë, daton nga vitet 70-ta. Plani aktual ka ndryshime, duke lënë më shumë hapësirë gjelbëruese.

Në vitin 2021 kur Asmableja Komunale e Prishtinës miratoi planin rregullues për këtë zonë pati reagime edhe nga aktivistë të ndryshëm që jo e gjithë hapësira gjelbëruese në këtë zonë të përdorej për ndërtim.

Kampusi i Teknikut ka filluar të zhvillohet në vitin 1975, kur është hartuar plani i kompleksit të Fakultetit Teknik nga arkitekti slloven Edvard Ravnikar, i cili e ka hartuar edhe projektin e ndërtesës së ish fakultetit Teknik dhe Laboratorëve.

Në vitin 1988, Fakulteti Teknik i cili përbëhej nga 4 njësi organizative u nda në tre fakultete – Fakulteti i Elektroteknikës, Makinerisë dhe Fakultet i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Me gjithë këtë ndarje, hapësira e ndërtuar në vitin 1982 ende shfrytëzohet bashkërisht nga tri fakultete, përfshi edhe laboratorët.

Sipas PGJU-se-Planit Gjeneral Urbanistik 1985-2000, ky lokacion parashihej për zhvillimin e njësive të reja të arsimit të lartë duke përfshirë hapësira të gjelbra publike dhe rekreative sportive.

Plani Strategjik Urban i hartuar në vitin 2004 e parashihte zonën kryesisht si zonë të arsimit. Në vitin 2006 një pjesë e këtij lokacioni i ishte ndarë për shfrytëzim Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjegjësisht për ndërtimin e Teatrit të Operës.

Kurse, plani Zhvillimor Urban 2013 – 2023, lokacionin te Fakulteti Teknik e parasheh hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe arsimore.

Plani i vitit 1975