Hysnije Koro, Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Profesoresha pretendon se e larguan nga puna këtë vit në Universitetin e Prizrenit dy deputetë turq, ministri e një profesoreshë

Profesoresha Hysnije Koro po pretendon se gjatë këtij viti i është bërë e padrejtë nga një profesoreshë e rregullt e Fakultetit të Edukimit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, dy deputetë turq dhe ministri Fikrim Damka.

Sipas profesoreshës Koro, shefja e Departamentit të gjuhës turke në Fakultetin e Edukimit, Elsev Brina Lopar, ka bashkëpunuar me motrën e saj, e cila është deputete në Kuvendin e Kosovës, Fidan Jilta, dhe deputetin Enis Kervan, që ta largojnë atë nga puna në Universitet.

Të dy deputetët janë nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, ndërsa Kervan është po ashtu profesor në Universitetin e Prizrenit.

Lidhur me këtë rast KALLXO.com i ka pyetur udhëheqësin e Fakultetit të Edukimit në Prizren, profesoreshën Brina Lopar, deputetët turq dhe ministrin Damka. Ata kanë mohuar pretendimet për bashkëpunim.

Se pse e kanë larguar nga puna, Koro në një intervistë për KALLXO.com thotë se e kanë bërë qëllimisht.

“Në Fakultetin e Edukimit (në vitet) 2010 – 2015 kam qenë ligjëruese e rregullt. Me veprim, shefi i katedrës – profesoresha Elsev Brina Lopari dhe Fikrim Damkës, Enis Kervanit dhe deputetja Fidan Brina Jilta, mua më kanë larguar prej vendit të punës. 2015 – 2023 kam punuar, 8 vjet me honorar në Fakultetin e Edukimit, në gjuhën turke” – ka treguar Koro.

Hysnije Koro ka thënë se ministri e deputetët e përmendur, së bashku me profesoreshën Brina Lopar, i kanë thënë rektorit e dekanëve që kjo profesoreshë s’mund të punojë te ju dhe ata, sipas saj, e kanë larguar.

“Enis Kervani ka bërë presion, ka marrë orë të miat, për qata mua më kanë larguar prej Fakultetit, as honorar nuk kam pasë. Deputeti ka bërë shkelje për mua, deputeti është turk, për qata prej Kosovës mua po më largon, s’po më lejon të punoj si turke që jam” – ka shtuar ajo.

Kurse, për profesoreshën Elsev Brina Lopar, Koro mendon se nuk po e lejon të jetë profesoreshë e rregullt.

“Sa jam unë këtu ti s’mund të hysh në këtë Fakultet, (si profesoreshë) e rregullt” – thotë Koro t’i ketë thënë i ka thënë profesoresha Elsev Brina Lopar.

Në anën tjetër, babai i saj, Xhemali Koro, ka përshkruar një takim që e kishte zhvilluar me ministrin Damka, me të cilin ka folur për rastin e vajzës së tij.

“Fikrim Damka disa herë ka premtuar: profesor do të bëhet anej-knej, kur në fund tha: Mos pritni prej meje, këta po më sulmojnë mua, këta dy deputetë, edhe unë s’muj kurrgjë, ku të doni shkoni'” – ka thënë Xhemali Koro për KALLXO.com.

Sipas tij, familja e tyre katëranëtarëshe jeton me një pension në vlerë 265 euro.

A ka pasur bashkëpunim mes stafit të UPZ, deputetes Jilta dhe ministrit Damka për ta larguar nga puna Koron?

Për dekanin e Fakultetit të Edukimit, Vedat Bajrami, pretendimet se ka bashkëpunim mes deputetëve turq dhe stafit akademik të Fakultetit që ai udhëheq, për ta larguar nga puna profesoreshën Koro, janë ‘spekulime’. 

“Asnjëherë, kurrë, nuk i kam takuar, as nuk jam dëgjuar me Fidan Jiltan, Enis Kervanin. Elsevi është shefe e Departamentit edhe ajo bashkëpunon në nivel zyrtar, absolutisht bashkëpunim tjetër përveç atij që është në nivelin zyrtar” – ka deklaruar Bajrami.

Në anën tjetër, profesoresha Koro e ka fajësuar sistemin në Universitet se lëndët zgjedhore nuk zgjidhen nga studentët, ndërsa Bajrami ka thënë se studentëve u ofrohet mundësia që t’i zgjedhin lëndët zgjedhore.

“Është një praktikë te ne që në shumicën e rasteve vetë studentët përcaktohen për lëndët zgjedhore. Ka qenë një praktikë ma herët që jemi bazuar në kërkesat ose në nevojat, gjendjen qysh e kemi pasë në dispozicion” – ka deklaruar Bajrami.

Duke e mohuar se ka bashkëpunuar për ta larguar nga puna profesorës Koro, Enis Kervan ka theksuar se në fakt këtë vit akademik Koros i ka kaluar lënda ‘’Gjuhë turke’’ që e kishte ligjëruar ai deri në qershor të këtij viti.

”Unë jo që dekanit kam bo presion, as ministrit, as kërkujna nuk i kam bo, sepse natyra ime është që sa ma tepër njerëz të cilët i kanë kry lamitë e tyre edhe të cilët i plotësojnë kushtet me qenë pjesë në universitete në qoftë se dëshirojnë të gjejnë veten aty, edhe s’kemi nevojë pse m’i bo presion njëri-tjetrit, kur s’kemi shumë ashtu kuadro doktorësh” – është përgjigjur Kervan në lidhje me pretendimet për bashkëpunim.

Sipas Kervan, ai gjatë viteve 2008-2009 është angazhuar për herë të parë si asistent në Universitetin e Prizrenit, në kuadër të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës.

Profesoresha Elsev Brina Lopar ka treguar se ajo së bashku me profesoreshën Koro i kanë folur këto pretendime që Koro i ka kundrejt saj për largimin nga UPZ.

”Patjetër kemi biseduar, që të kuptojmë arsyen se pse vazhdimisht ankohesh kam pyetur pse bën një gjë të tillë, mirëpo në të njëjtën mënyrë jep sqarime duke mu drejtuar mua se ju nuk dëshironi të më jepni orë mua. Unë gjithmonë jam e hapur, zyra jonë është e hapur për çdo bisedim, për çdo zgjidhje” – është shprehur Brina Lopar.

Ndërsa, lidhur me atë se a i kishte thënë Koros se sa është në Fakultet ajo nuk do të japë mësim, Elsev Brina Lopar është përgjigjur se nuk mund të thotë një gjë të tillë pasi që me nënshkrimin e tyre Koro ka ligjëruar.

Për punimet shkencore të Koros, që nuk janë llogaritur nga komisioni vlerësues i Fakultetit të Edukimit, profesoresha Elsev Brina Lopar ka sqaruar se pse ka ndodhur kjo. Sipas saj, punimet nuk i plotësonin kriteret e brendshme të Universitetit.

‘’Të gjitha ekzistojnë në dosje mirëpo ne gjatë vlerësimit në nivelin universitar dhe në bazë të kritereve të Ministrisë së Arsimit e njohim si punim shkencor, prandaj kemi parë se nuk ka ndonjë punim shkencor në ndonjë revistë shkencore ndërsa në dokumentin ekzistues kemi parë që ka disa libra dhe botime të punimeve mirëpo nuk kishte ndonjë punim që i plotëson kriteret që kërkohen me Ligjin për universitete’’- ka thënë ajo.

Shefja e Departamentit të gjuhës turke ka kujtuar se para një viti e gjysmë, ministri Fikrim Damka kishte dërguar një kërkesë me shkrim në Fakultetin e Edukimit, për të kërkuar ndarjen e orëve, raporte zyrtare, të cilat ia kishin dërguar.

Deputetja Fidan Jilta është përgjigjur po ashtu në lidhje me pretendimet për bashkëpunim mes saj dhe bashkëpartiakut Kervan, si dhe motrës së saj – Elsev Brina Lopar. Për shkak se është deputete, ajo ka deklaruar se nuk ngatërrohet në arsim.

‘’Së pari motra ime (Elsev Brina Lopar) ka qenë atje si profesoreshë, edhe para se me qenë unë deputete, për atë sende unë s’po di për çka, çfarë lidhje kam unë atje. Edhe unë vij prej arsimit, kur kam fillu unë mandatin si deputete e kam lanë, sepse s’du m’u bo në dy vende se njeri s’mundet me bo, sidomos në arsim” – ka potencuar Jilta.

Ani pse është kontaktuar disa herë nga KALLXO.com që të përgjigjet në lidhje me përfshirjen apo jo të tij në këtë rast, ministri Damka ka vlerësuar se gjithçka është thënë nga dekani, deputeti turk, dhe se ai nuk ka çfarë të shtojë.

‘’Kërkoj falje disa herë keni kërkuar për intervistë, por s’kam çka të shtoj sepse nuk është në kompetencën edhe përgjegjësinë time rasti, për këtë e keni intervistuar deputetin tim edhe rektoratin, ashtu që ata janë në dijeni për këtë rast. Mendoj se ata kanë dhënë përgjigje’’ – ka shkruar ministri Damka.

Koro është e angazhuar në UPZ për vitin akademik 2023/24

Më 22 shtator, Universiteti i Prizrenit ka hapur një konkurs për angazhim me honorar të bashkëpunëtorëve të jashtëm, ku Hysnije Koro dhe Enis Kervan kanë aplikuar në Fakultetin e Edukimit dhe atë Ekonomik.

Sipas raporteve të komisioneve vlerësuese nga të dy fakultetet, në Fakultetin e Edukimit, Koro është angazhuar për lëndët: ‘’Punë dore me modelim – parashkollor’’ dhe ‘’Metodologjia e gjuha amtare’’.

Angazhimi i prof. Koro në lëndën ‘’Punë dore me modelim – parashkollor’’, Fakulteti i Edukimit-UPZ, 2023/24
Angazhimi i prof. Koro në lëndën ‘’Metodologjia e gjuha amëtare’’, Fakulteti i Edukimit-UPZ, 2023/24

Kurse, Enis Kervan është i angazhuar në lëndën ‘’Historia e letërsisë kombëtare’’. 

Angazhimi i prof. Kervan në lëndën ‘’Historia e letërsisë kombëtare’’, Fakulteti i Edukimit-UPZ, 2023/24

Mirëpo, profesoresha Koro është përzgjedhur të angazhohet edhe në Fakultetin Ekonomik, për lëndën ‘’Gjuhë turke’’, të cilën e kshte ligjëruar më parë Enis Kervan. 

Angazhimi i prof. Koro në lëndën ‘’Gjuhë turke’’, Fakulteti Ekonomik-UPZ, 2023/24

Duke qenë se Koro ka orë akademike për këto lëndë brenda vitit akademik 2023/24, KALLXO.com e ka pyetur në lidhje me to dhe për faktin se ajo nuk rezulton të jetë e larguar nga puna në UPZ.

Koro e ka pranuar se këtë vit ka orë mirëpo kërkesa e saj është të jetë profesoreshë e rregullt, e jo me honorar.

“Unë tash s’po du me vazhdu me honorar, po pres edhe pak, që po japin si e rregullt me hi në Fakultet, që s’po japin, unë po shkoj, shpërngulje prej Kosovës po lypi’’ – ka thënë Koro në bisedë.

Meqë Enis Kervan është angazhuar në lëndën “Historia e letërsisë kombëtare”, ku Koros nuk i janë llogaritur punimet shkencore, ajo është ankuar në Fakultetin e Edukimit për mosllogaritjen e këtyre punimeve dhe për, siç ka thënë në ankesë, se këtë lëndë e ka ligjëruar ajo më parë dhe Kervan nuk e ka drejtimin e studimit që ta ligjërojë atë. 

Ankesa e prof. Koro ndaj Fakultetit të Edukimit-UPZ

Hysnije Koro ka gradën shkencore doktor në “Gjuhë dhe letërsi turke, gjuha e re turke” nga Universiteti i Stambollit. Dhe, Enis Kervan ka gradën shkencore doktor i shkencave filologjike, programi Gjuhë dhe letërsi turke nga Universiteti “Sv. Kiril i Metodij”, Shkup.

Sa u përket punimeve shkencore, Koro ka thënë se ato i janë llogaritur vetëm nga Fakulteti Ekonomik dhe jo nga ai i Edukimit.

Por, komisioni i ankesave e ka konsideruar si të pabazuar ankesën e saj dhe me këtë rast e kanë refuzuar atë. 

Vendimi i Fakultetit të Edukimit ndaj ankesës së prof. Koro