Driton Balaj propozohet për dekan të Fakultetit Ekonomik

Profesori i asocuar, Driton Balaj është propozuar nga ana e Këshillit të Fakultetit Ekonomik si dekan i ri, pas dorëheqjes së ish-dekanit, Fatos Ukaj.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Valentin Toçi, anëtar i Këshillit të Fakultetit Ekonomik.

“Po e kemi zgjedhur si Këshill i Fakultetit dekanin e ri. Driton Balaj është propozuar për votim në Senat dhe mbetet Senati me vendos”, tha Toçi për KALLXO.com.

Balaj ka qenë prodekan për çështje mësimore gjatë periudhës 2015 – 2020 në Fakultetin Ekonomik. Ai po ashtu ka qenë këshilltar politik i ish-ministrit të Ekonomisë dhe Financave nga LDK, Ali Sadriu gjatë vitit 2003.

Në lidhje me emërimin e Balajt si dekan do të vendos Senati i Universitetit të Prishtinës.

Sipas Statutit të UP-së, dekanët dhe prodekanët zgjedhen nga Këshilli i njësisë akademike me shumicën absolute të votave dhe i propozon Senatit per miratim për një periudhë katërvjeçare, nga radha e profesorëve të fakultetit përkatës, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Universitetin e Prishtinës për të kuptuar se kur do të futet si rend dite propozimi i Këshillit të Fakultetit Ekonomik dhe është duke pritur përgjigje.

Ish-dekani, Fatos Ukaj kishte dhënë dorëheqje më 28 dhjetor të vitit 2021. Deri tek dorëheqja e tij erdhi pasi në Fakultetin Ekonomik pas shpalljes së konkursit për personel akademik pati një ‘ndarje’ të Këshillit të Fakultetit, që një pjesë e anëtarëve i dolën kundër dekanit.

Më 26 nëntor të vitit 2021, 29 anëtarë të Këshilli të Fakultetit Ekonomik votuan pro shkarkimit të dekanit të këtij Fakulteti, Fatos Ukaj. Por, këtë inicim të shkarkimit e kishte hedhur poshtë Senati i Universitetit të Prishtinës më 24 dhjetor të vitit që e lamë pas.

Senati e kishte ritkthyer këtë çështje në Këshill të Fakultetit, pasi nuk ishin respektuar procedurat për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme.

Fakulteti tash e disa muaj ka qenë edhe pa prodekanë, pasi kishin dhënë dorëheqje.

Dekani i Fakultetit Ekonomik të UP-së jep dorëheqje, thotë se pati ndërhyrje