Altin Sahiti (në mes), ish-rektori Qerim Qerimi (djathtas) dhe rektori aktual i UP-së, Arben Hajrullahu - Foto: Altin Sahiti/Facebook
Kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së njofton për dorëheqje të parevokueshme
Kryesuesi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Altin Sahiti, ka njoftuar për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga kjo pozitë me efekt nga data 01.10.2025.
Sahiti u emërua më 17.09.2021 në pozitën e kryesuesit të Këshillit Drejtues të UP-së nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Për periudhën që po mbetet deri më 1 tetor, Sahiti ka ftuar Ministrinë e Arsimit që të bëjë përzgjedhjen e anëtarëve të rinj për Këshill Drejtues të UP-së.
“Fillimisht, e nisa si Zëvendëskryesues dhe pastaj tri vite si Kryesues gjë që më bëri më të riun në histori të Universitetit dhe me zgjatjen më të madhe të mandatit. Së bashku me kolegët filluam të lëvizim çështje të rëndësishme, t’i japim shtytje ndryshimeve. Por, për arsye që shpesh nuk i kuptonim, disa gjëra bllokoheshin nga brenda, e herë herë ndiheshim të manipuluar apo të lajthitur” – ka shkruar Sahiti në Facebook më 21.07.2025.
Gjatë kohës sa ai udhëhoqi Këshillin Drejtues të UP-së u miratua Statuti i ri i UP-së. Këtu ka lavdëruar menaxhimin e UP-së nga ish-rektori Qerim Qerimi.
“Sot kemi një Statut modern, rregullore të reja me parime etike për trupat udhëheqëse, mekanizma efikasë për menaxhimin e buxhetit dhe administratës, si dhe rritje substanciale të mbështetjes financiare për studentë, profesorë, institute, konferenca dhe projekte kërkimore.” – ka shtuar Sahiti.
Në mesin e sukseseve të arritura nga UP Sahiti ka përmendur se kanë ndarë për herë të parë bursa për studentët e studimeve master dhe të doktoratës.
Sipas tij, është krijuar një klimë e re pune në objektin e Rektoratit – një vend që, siç shprehet ai, dikur shihej si godinë gjuetie shtrigash, e sot funksionon me profesionalizëm dhe integritet.
“Sot, po e lë UP-në faqebardhë – me integritet, ashtu siç e kam nisur. Kam shumë për të falenderuar, por më duhet ta falenderoj për mundësinë e dhënë Ministren e Arsimit znj. Arbërie Nagavci, për të cilën para se të emërohesha nuk njiheshim fare, por që qëllimi i saj i mirë, i pastër ndaj Universitetit e bëri të mundur emërimin tim, më la të pavarur komplet gjatë rrugëtimit dhe po, sot së bashku kemi arritur që të kemi pasqyrë tjetër të Universitetit.” – tha Sahiti.
“Lamtumirë UP, vendi ku u formova, ku dhashë dhe mora, dhe që gjithmonë do ta kujtoj me krenari e mirënjohje.Me integritetin me të cilin hyra, po largohem – duke shpresuar që hapat që kemi hedhur së bashku të shërbejnë si themel për një të ardhme edhe më të ndritur.” – ka përfunduar Sahiti.
Këshilli Drejtues i UP-së është organi kryesor qeverisës i Universitetit, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote.
Ministria e Arsimit emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa Senati i UP-së zgjedh pesë anëtarë të Këshillit Drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i Universitetit.
Anëtarët aktualë të Këshillit Drejtues të UP-së deri më 01.10.2025, të emëruar nga Ministria e Arsimit janë: Altin Sahiti (kryesues), Arbëresha Nela-Turjaka (zëvendëskryesuese), Hajrullah Koliqi dhe Arta Shehu Zaimi. Këta anëtarë janë në vitin e katërt të mandatit të tyre në Këshill.
Kurse, pesë anëtarët nga personeli akademik i UP-së në Këshill Drejtues deri më 01.10.2025 janë: Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Naser Kabashi, Selim Bezeraj dhe Rifat Krasniqi.
Në anën tjetër, Senati i UP-së më 30.06.2025, zgjodhi pesë anëtarët e rinj të këtij Këshilli: Mimoza Ibrani, Teuta Jashari- Kajtazi, Vjosa Fejza- Ademi, Arian Krasniqi dhe Kurtesh Sherifi.
Kjo do të thotë që UP mund të nisë vitin akademik 2025/2026 me anëtarë të rinj në Këshill Drejtues.