Ilustrim

Çfarë përmban plani i Komunës së Prishtinës për dixhitalizimin e arsimit?

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar dje ndryshime në arsim që nënkupton se komunikimi do të dixhitalizohet në tërësi me fillim nga 4 maji.

Ndërkaq, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, në një prononcim për KALLXO.com ka njoftuar se për të pasur më të lehtë komunikimin me nxënës dhe prindër ka filluar përdorimi i platformës “e-shkollori”, e cila, sipas saj, ka shumë përparësi.

Ajo bëri të ditur se do të bëhet vendosja e notave në ditar dhe që në kohë reale prindërit mund të shohin vlerësimin e fëmijës së tyre.

“Kjo mundëson testet online, vendosjen e materialeve mësimore, videove mësimore. Vendosja e notave në ditar, dhe në kohë reale, prindërit mund të shohin vlerësimin e fëmijës së tyre. Mund të shkruhen në formë mesazhi njoftim për prindër, njoftim për nxënës. Vendosja e planeve vjetore, mujore, javore dhe të orës mësimore e plotë përparësi tjera të cilat do të jenë në funksion të ngritjes se cilësisë dhe llogaridhënia”, tha Shala.

Të martën, kryetari Shpend Ahmeti kishte paralajmëruar ndryshime në arsim, e që gjithë kjo ishte interpretuar në media se do të hapen shkollat në kryeqytet.

Ahmeti kishte sqaruar në një njoftim tjetër se do të ketë dixhitalizim dhe hapje të shkollave.

Po ashtu edhe drejtoresha e Arsimit për KALLXO.com kishte deklaruar se për rihapjen e shkollave vendos Ministria e Arsimit, dhe jo Komuna.

Situata e pandemisë së coronavirusit në Kosovë, si në shumë vende të ndryshme të botës, bëri që institucionet arsimore të të gjitha niveleve të mbyllen dhe që nxënësit e Kosovës të mos mund të ndjekin mësimin në shkollë.

Por, në mënyrë që të mos humben orët mësimore, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit organizoi mësim nga distanca për nxënësit. Ky mësim u organizua për filloristët, përkatësisht nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Kurse, për nivelin e shkollimit të mesëm të lartë,  MAShTI-i ua la në dorë komunave organizimin e mësimit nga distanca  duke u kërkuar atyre që t’u përmbahen rekomandimeve të Ministrisë.

Mësimi online dhe sfidat e komunave