Vetëvendosje ka hapur fushatën në Prizren - Foto: LVV

Haskuka: Do t’ia Kthejmë Shpresën Prizrenit

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, në hapje të fushatës për zgjedhjet lokale, është zotuar se kjo parti më 22 tetor do t’ia kthejë shpresën Prizrenit dhe qytetarëve të saj, pasi që qeverisja e deritanishme nuk ka punuar sa duhet për të mirën e tyre.

Haskuka tha se Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë ndryshime thelbësore në të gjitha segmentet e jetës në Prizren dhe kërkoi votën e prizrenasve për ndryshime.

“Ndryshimi është i mundshëm dhe më 22 tetor Prizreni dhe Kosova kanë referendum dhe se ky është referendum i ndryshimit. Ndryshimi është i pashmangshëm. Të tjerët janë vetëm ndryshimi në emër ndërsa Vetëvendosje është ndryshimi në thelb”, theksoi Haskuka.

“Prizreni çdo ditë e më tepër po shkatërrohet dhe kjo duhet të ndalur dhe do ta ndalim më 22 tetor. Së bashku do ta bëjmë ndryshimin më 22 tetor. Shumë dëme janë bërë, por do të fillojmë t’i riparojmë zemrat e thyera të qytetit tonë. Do t’ua kthejmë shpresën qytetit. Të gjithë të punojmë me mendje dhe me zemër për ndryshimin”, tha ai. /21Media