Hashim Thaçi I Foto: Kallxo.com

Thaçi: Rëndon Fati i të Pagjeturve

Një ditë përpara Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Presidenti Thaçi të pagjeturit i ka cilësuar një ndër plagët më të rënda të mbetur nga lufta.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencë, Thaçi ka thënë që  “lufta ka lënë shumë plagë, por ajo e të pagjeturve është ndër më të rëndat”.

Për Presidentin, sipas komunikatës, “është nevojë urgjente, detyrë humanitare, obligim i të gjithëve që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.

Komunikata tregon se Thaçi para Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve ka përmendur edhe fotografitë e të të pagjeturve kosovarë të vendosura në rrethojat e Kuvendit.

“Na shikojnë nga fotot e varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës. Na thërrasin familjet. Na i kujtojnë memorialët që i shohim rrugëve të Kosovës. Ndërkaq, në ditët si 30 gushti, zotohemi që gjithmonë, pandërprerë, do të kërkojmë dhe do të këmbëngulim që sa më parë të zbardhet fati i secilit qytetar të Kosovës, në mënyrë që familjet e të pagjeturve të gjejnë paqen e tyre,” tha Thaçi.

Për Thaçin pikërisht kjo dhimbje është motiv që të mos përsëritet lufta.

Në Ditën Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur në Kosovë janë paralajmëruar aktivitete të ndryshme përkujtuese e vetëdijesuese për këtë plagë.