Takimin për Rastet e Shënjestruara KGjK e Mban me Ministrin, Por Pa Mediat

Mediave u është kërkuar ta lëshojnë sallën ku po mbahej takimi lidhur me rastet e shënjestruara të korrupsionit, të cilat janë kusht për liberalizimin e vizave, vetëm një ditë pas kalimit të Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës.

Për shkak se në takime të tilla diskutohen edhe çështje të ndjeshme, prezenca e medias nga drejtuesit e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial shihet si pengesë.

Por një pengesë të tillë sipas tyre nuk paraqet që ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, që vjen nga PDK, të jetë prezent kur diskutohen rastet e nivelit të lartë të korrupsionit ku janë të përfshirë njerëz të politikës dhe institucioneve të vendit.

Edhe pse takimi u tha se është i mbyllur për shkak se temat që do diskutohen janë të ndjeshme, brenda këtij takimi ka qëndruar gjatë gjithë kohës ministri Tahiri.

Nehat Idrizi, kryesues i KGjK-së lejimin e ministrit brenda dhe largimin e mediave e arsyetoi se nuk kanë diskutuar për emra, por për raste dhe se prezenca e ministrit Tahiri nuk paraqet problem.

Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit, praninë e ministrit e arsyetoi duke thënë se kanë biseduar vetëm për numrin e rasteve.

Ministri i Drejtësisë është ministri i cili mund të ketë informatat e dorës së parë lidhur me rastet e korrupsionit ku të dyshuar dhe akuzuar janë drejtuesit e institucioneve, pasi ai për dallim nga përfaqësuesit e mediave është lejuar në takimin e mbyllur gjatë gjithë kohës.

Ndërsa kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi, tregoi se nga ky takim kanë nxjerrë gjashtë rekomandime të cilat, sipas tij, do ta bëjnë me efikase luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit te rastet që janë parakusht për liberalizimin e vizave.

Në mbledhjen që u mbajt larg mediave dhe me prezencën e njeriut të politikës brenda është nxjerrë edhe rekomandimi se do të rritet transparenca ndaj publikut.

Rekomandimi i radhës përcakton që të ketë takime të tilla çdo muaj në përbërjen të njëjtë.

Rekomandimi tjetër obligon që prokurorët dhe gjyqtarët të kenë raporte më të mira.

Po ashtu nga ky takim është nxjerrë edhe rekomandimi që obligues që seancat te rastet e shënjestruara të mos shtyhen më shumë se dhjetë ditë.

Ndër rekomandimet tjera është ai për shtimin e numrit të gjyqtarëve dhe krijimin e një task-force në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi në këtë gjykatë janë shumica e lëndëve të shënjestruara.

Rekomandimi i fundit i kufizon gjyqtarët dhe prokurorët që të marrin pjesë në trajnime, pasi ka raste kur seancat shtyhen për shkak se gjyqtarët, apo prokurorët gjenden në trajnime.