Haradinaj: S'do të lejojmë që dikush të vendosë pengesë korruptive në investime  

Gjatë takimit të radhës të Nivelit të Lartë të Sundimit të Rendit dhe Ligjit, ku janë prezantuar të arriturat e fundit nga institucionet e Kosovës, veçanërisht për pakon e ligjeve anti-korrupsion dhe Rastet e Shënjestruara, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se viti 2019 do të jetë vit i zhvillimit ekonomik.

“Investitorët e huaj duhet të ndihen të sigurt se kapitali i tyre është i mbrojtur, se prokuroria është efektive, se gjykatat nuk vonojnë dhe se keqbërësit janë prapa grilave. Kosova ka hapur dyert për investitorë të huaj, kemi investimin më të madh direkt me vlerë prej 1.3 miliard dhe në pritje janë 11 projekte investuese strategjike me vlerë prej më shumë se 1 miliard Euro”, theksoi kryeministri Haradinaj, duke sqaruar se të gjitha këto investime si adresë e kanë shtetin dhe se nuk do të lejojnë që dikush të vendosë pengesë korruptive në këto investime.

Sipas një komunikate për media, Haradinaj po ashtu ka treguar se qëllimi i tij është forcimi i sistemit të drejtësisë.

Kurse, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në prezantimin e tij në kuadër të takimit të Sundimit të Rendit dhe Ligjit, paraqiti pesë fusha themelore që adresohen përmes “Drejtësia 2020”, të cilat përfshijnë: Reduktimin e lëndëve të vjetra (Blacklogut), kapacitetet e organeve të pavarura të zbatimit të Ligjit, efikasitetin e zbatimit tëligjit me konsideratë të veçantë për menaxhimin e periudhës kohore të shqyrtimit të lëndëve, profesionalizmin dhe integritetin.

Në këtë takim, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, shpalosi disa nga rezultatet për 48 lëndët e shënjestruara dhe në cilën fazë janë, si dhe punën e Prokurorisë.

Ndërkaq, për rezultatet që duhet t’i shënojë Kosova në rrugën e saj integruese, foli edhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Prezent po ashtu në këtë ngjarje kanë qenë edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett dhe përfaqësuesja e BE-së, Nataliya Apostolova.