Prokuroria Speciale shënjestroi 2 raste të reja me 47 persona të përfshirë

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjëstrimin e rasteve të krimeve të rënda.

Në këtë takim janë shënjëstruar dy raste të reja, në të cilat janë të përfshira 47 persona për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Speciale njofton se në rastin e parë janë të përfshirë 23 persona për veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit’’, “Fajdeja”, “Detyrimi”, si dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

PSRK njofton se në lidhje me këtë rast kanë sekuestruar asete dhe mjete monetare.

Gjithashtu ka ngrirë në mënyrë afatgjate prona të paluajtshme dhe llogari bankare.

Ndër asestet e sekuestruara PSRK njofton se janë 7 banesa, 4 makina, llogari bankare me vlerë 186,861.75 euro, pasuri të luajtshme me vlerë, si dhe para të sekuestruara kesh.

Ndërsa për rastin e dytë, Prokuroria Speciale njofton se të përfshirë janë 24 persona që janë të përfshirë në vepra të ndryshme si “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, “Shmangie nga tatimi” si dhe “Mashtrim në prokurim publik”.

Shënjëstrimi i rasteve nga ana e Prokurorisë Speciale ka qenë njëra nga kriteret e raportit të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën.