Nga takimi i korrikut 2017 Thaçi- Vuçiq. Foto: BE

Takim në New York për Dialogun e Brukselit

Në margjinat e takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që po zhvillohet në New York, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë Federica Mogherini është takuar me presidentët e Kosovës dhe Serbisë- Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiqin.

“Ata vazhduan diskutimet për fazën e re të dialogut mes Beogradit e Prishtinës të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizim marrëdhëniesh”, thuhet në një komunikatë të lëshuar sot nga Zyra e Mogherinit.

Gjatë bisedimeve, sipas komunikatës, u fol edhe për marrëveshjen e drejtësisë, e cila pritet të nisë zbatimin më 17 tetor.

“Ata shqyrtuan përparimin e bërë për zbatimin e marrëveshjes së drejtësisë që do të zbatohet plotësisht më 17 tetor, siç u ra dakord në takimin e fundit”, sqarohet në komunikatë.

Kjo marrëveshje është dashur të zbatohej në janar të këtij viti, por zbatimi i saj në atë kohë nuk ndodhi.

http://kallxo.com/heshtja-e-te-gjitheve-per-vonesen-e-hapjes-se-gjykates-ne-veri/

Më tutje thuhet se Mogherini falënderoi peresidentët për përkushtimin e vazhdueshëm rreth dialogut.

“Përfaqësuesja e lartë mirëpriti përkushtimin e vazhdueshëm të të dy presidentëve për normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë dhe kujtoi që përparimi në agjendat europiane [të dy shteteve] është i lidhur ngushtë me progresin në dialog”, përfundon komunikata e Zyrës së Mogherinit.

Thaçi e Vuçiq u takuan së fundi në Bruksel në fund të gushtit.