Driton Selmanaj, deputet i LDK-së - Foto: Rtv21

Selmanaj e Konsideron Haradinajn të Njëjtë me PDK-në

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka kritikuar ashpër mungesën e Kryeministrit, Ramush Haradinaj  në seancën parlamentare ku po diskutohet programi qeveritar.

Selmanaj  tha se kishte pritur më shumë nga Haradinaj, por sipas tij ai doli i njëjtë si PDK-ja.

“A keni pa dikun në demokraci që qeveria të ikën nga Kuvendi, e keni çorodit jetën parlamentare në Kuvend. Të shpëtojmë atë që ka mbetur të shpëtojmë. PDK e kuptoj ikjen tradhtinë e ka të instaluar. Po në Ramushin kemi pasë besim se ai nuk ik, por besoni që edhe ai është njësoj sikur këta”, tha Selmanaj.

Sipas Selmanajt, PDK nuk e respekton kryeministrin e ri dhe për këtë arsye nuk pritet të kenë respekt partitë e tjera.

“Kur ju si parti politike e shifni z. Haradinaj si kryeministër të dorës se dytë e na, e njerëzit e tjerë që e shohin të dorës së tretë të katërt”, tha Selmanaj.

Rreth këtij fjalimi, ka reaguar Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli duke e quajtur Selmanajn turp të shoqërisë civile pasi sipas tij ka pasur lidhje politike gjatë gjithë kohës.