Selemanaj – Kusari Lilës: Ia pafshi hairin kësaj pune dhe përgjimeve tjera që mund të dalin nesër

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj është “përplasur” në Kuvend me deputeten e LVV-së, Mimoza Kusari – Lila lidhur me audio-incizimet ku dëgjohej Mimoza Kusari duke biseduar me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

Selmanaj tha se Kusari – Lila ka rënë në kurthin që u ka ndërtuar të tjerëve.

“Ia pafshi hairin kësaj pune edhe përgjimeve tjera që mund të dalin nesër“- u shpreh Selmanaj.

“U çova në këmbë me e pa deputeten. Zonja deputete të kuptoj. Për besë me m’pas dalë m’u qato që të kanë dalë ty, unë në Kosovë s’kisha ndejt. Keni ra në kurthin që ua keni ndërtu të tjerëve në vazhdimësi, përfshirë edhe mua. Por keni rënë vet, e ia pafshi hairin kësaj pune edhe përgjimeve tjera që mund të dalin nesër“- deklaroi ai.

Lidhur me çështjen e përgjimeve e cila u rikthye sot në Kuvend, Kusari – Lila tha se ato janë interpretime fashiste.

Ajo tha se në asnjë instancë nuk është diskutuar pensioni i veteranëve.

“Selmanaj e bëri një kolazh të përmbajtjes së përgjimeve të publikuara. Në cilën instancë është diskutu pensioni i veteranëve me dikën jashtë apo parapolitikës. Asnjë. Ato janë interpretime fashiste të individëve me agjendë. Ato s’kanë dalë nga ai diskutim. Ato janë interpretime mbi të cilat është ndërtu ky paragjykim”- ka thënë ajo.

Muaj më parë, Gazeta Nacionale ka publikuar një audioincizim ku dëgjohet duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq.