Foto: LDK-Prizren / facebook
Selmanaj e quan "skandaloz" adresimin e presidentes Osmani për mosdekretimin e Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e ka quajtur skandaloz adresimin e presidentes Vjosa Osmani në konferencën e mbajtur dje, ku ka njoftuar se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit për shkak të, siç tha ajo, “shkeljeve masive në këtë proces”.
Selmanaj ka numëruar tri skandale që, sipas tij, i ka bërë Osmani dje.
Sipas tij, presidentja të martën ka dëshmuar që për 18 muaj ka abstenuar në ushtrimin e detyrimeve që ia ka përcaktuar Kushtetuta e Kosovës.
“Neni 84.2 i Kushtetutës kur flet për kompetencat e presidentit thotë se ‘Garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë’. Ky paragraf i vesh presidentit të republikës kompetencën e garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuar me Kushtetutë. Pra kjo normë nuk është fakultative apo dëshirore për presidenten, pra nuk i lihet vullnetit të saj por është normë detyruese e domosdoshme kushtetuese, për të vepruar për mirëfunksionimin kushtetues të institucioneve kushtetuese”- ka shkruar Selmanaj në Facebook.
Selmanaj si skandal të dytë e ka listuar “vendimin e presidentes për mosemërim të kandidatit të propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës”, i cili sipas tij, bie ndesh me paragrafin 17 të nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës.
“Sipas këtij neni, kompetenca e presidentes për ‘emërim’ dhe ‘shkarkim’ kufizohet vetëm në aspektin ceremonial. Presidenti i Republikës nuk mund të kontrollojë meritën e ‘propozimeve’ që vijnë nga Këshilli Prokurorial, pra presidentja nuk mund të ushtrojë kontroll substancial mbi propozimet e Këshillit”- ka thënë tutje ai.
Ndërsa, ai ka përmendur edhe çështjen e kërcënime që presidentja Osmani tha se ajo i ka marrë nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.
“E para e vendit, tregoi publikisht që ajo fshehë apo heshtë për veprën penale në të cilën ajo është subjekt. E nëse kjo vërtetë paska ndodhur, por presidentja nuk i denoncon ato në organet kompetente, atëherë kjo ose është gënjeshtër e madhe e saj ose ajo nuk ka besim fare në institucionet shtetërore e cila vet qëndron në hierarkinë më të lartë institucionale në republikën tone”- ka shkruar ai.
Dje, presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit për shkak të “shkeljeve masive në këtë proces”.
Ajo foli edhe për disa kërcënime që tha se i ka marrë nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.
Sipas saj, në një vend demokratik këta persona do përfundonin jashtë sistemit.
“Unë ju inkurajoj që ta lexoni dokumentin dhe e shihni se çka vërtetë është shqetësuese në vendin tonë. Shqetësuese është kur zyrtarët e institucioneve të drejtësisë mendojnë që mund ta kërcënojnë kreun e shtetit. Në një vend demokratik, mbajeni mend këtë, ata që mendojnë që mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të përfundonin jashtë sistemit në një vend demokratik”- është shprehur Osmani.
Osmani theksoi se shumica e shkeljeve që janë pjesë e vlerësimit të Presidencës janë bërë publike nga organizatat joqeveritare dhe ambasadat.
Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit