Driton Selmanaj: Ata që u bën bashkë për të bombarduar Serbinë, sot po na sanksionojnë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka deklaruar në seancën e Kuvendit se sot janë bërë 78 ditë prej kur Bashkimi Europian ka sanksionuar Kosovën, po aq ditë sa kishin zgjatur bombardimet ndaj Serbisë në vitin 1999.

Selmanaj thotë se po ata që bombarduan Serbinë, sot janë bërë bashkë, për të ndëshkuar politikën e kësaj qeverie.

“Falë mos-koordinimit me aleatët dhe politikave e sjelljeve të papërgjegjshme dhe avantureske të kryeministrit Kurti, miqtë tanë euroatlantikë, po ata që bombarduan Serbinë përsëri janë bërë bashkë, po kësaj here për të ndëshkuar politikën e kësaj qeverie dhe përmes saj po ndëshkohet edhe populli i Kosovës, duke iu vendosur sanksione. Kjo logjikë qeverisëse po punon kundër interesave kombëtare të Kosovës”- tha deputeti Selmanaj.

Ai foli edhe për takimin e sotëm në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Sot ndodhë një takim në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiq, më thoni a e din ndokush agjendën për çka takohen këta dy njerëz? A e keni idenë më të vogël se cila është tema që do të diskutojnë? Kuvendi ka miratuar tri rezoluta që e obligojnë qeverinë para dhe pas çdo procesi negociator të raportojë në Kuvend”- ka theksuar Selmanaj.

Selmanaj shprehet se Qeveria e ka shndërruar Kuvendin në “spektatorin e fundit që e merr vesh se çka po ndodhë në Bruksel”.

“Kjo qeveri e ka shëndru Kuvendin në spektatorin e fundit që merr vesh se çfarë po ndodhë në Bruksel. Ky takim a po bëhet me koordinim apo pa koordinim? Përgjigja është që me Kuvendin e Kosovës dhe me forcat politike jo, në koordinim me kënd?”- përfundoi ai.

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel në një takim të nivelit të lartë, i pari ky që prej rritjes së tensioneve në veri të Kosovës që në fund të majit. Fokusi i takimit të liderëve të dy shteteve me ndërmjetësim të BE-së, do të jetë normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe çështjet aktuale.

Për dy vite me radhë, u mbajtën tetë takime të nivelit të lartë, të cilat u përcollën kryesisht shmangien dhe menaxhimin e konflikteve, në vend të zgjidhjes si çështje. Një mori marrëveshjesh morën dakordim nga palët, por si të tilla nuk u firmosën nga dy liderët.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua më 2 maj të këtij viti.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut po hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Për shkak të tensioneve në veri, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.

Kryetarët e katër komunave në veri të vendiit u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE dhe SHBA kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet, përderisa palës kosovare i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq asaj serbe që të sigurojnë që serbët të marrin pjesë në votime.

Në fund të qershorit, BE- kishte vendosur disa masa për Kosovën për shkak të mosmarrjes së veprimeve për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët ishin kërkuar në fillim të qershorit nga përfaqësusi i lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.

Nga viti 2011, Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve.

Ndonëse palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Takimi në Bruksel – Çka pritet nga përballja Kurti-Vuçiq?