Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi në Kuvend, Foto: Kuvendi i Kosovës
Çështja e personave të pagjetur, ‘përplasen’ Selmanaj e Bislimi
Çështja e personave të pagjetur, ka përplasur verbalisht deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në Kuvendin e Kosovës.
Bislimi ka kundërshtuar deklaratën e Selmanajt se përmes asaj deklarate për personat e zhdukur së miratuar të martën në Bruksel, Kosova dhe Serbia janë barazuar sa i përket krimeve.
“Ne jemi kujdesë që as mos të amnistojmë shtetin e Serbisë, as mos të barazojmë institucionalisht argumentet dhe faktet dhe veprimet e shkaktuara dhe jemi kujdesë që në fund të ketë edhe të drejtë që palët të kërkojnë kompensim. Jam i bindur që ka gabu rëndë Qeveria e Kosovës që ka pranu që zhdukja me dhunë të hiqet nga dokumenti”- ka deklaruar Selmanaj.
Ndërsa zëvendëskryeministri Bislimi është shprehur se gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit, çështja e të pa gjeturve ishte trajtuar pa urgjencë.
“Sa i përket deklaratës për personat e pagjetur apo zhdukur me forcë. Kjo është deklaratë e dakorduar në Bruksel më 7 shtator 2020 nga ish-kryeministri Hoti. I ka 7 fjali dhe gjashtë fjali tregojnë se si do të krijohet komisioni, kur do të bëhet puna. Ka zero sqarime për atë se sa i rëndësishëm është problemi i personave të pagjetur dhe ka titullin ‘Missing persons’. Këtu thuhet që me çështjen e të pagjeturve do të merremi një vit pasi ta kemi marrëveshjen finale me Serbinë. Do të thotë zero urgjencë në trajtimin e kësaj çështjeje. Më 8 shtator 2020 keni deklaratat e Selmanajt keni deklaratat e deputetit Selmanaj ku thotë që kjo temë është konsumuar dhe është ezauruar”- ka deklaruar Bislimi.
Numri dy i Qeverisë tha se mund të gjejë dokumente të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut që i referohet personave të zhdukur me dhunë apo “forcibly disappeared persons”.
“Ju po thoni që keni gabuar që e keni hequr termin persona të zhdukur me dhunë, më tregoni se kur e keni futur në dokument që ne e kemi larguar. Unë mund të ju gjej dokumente të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut që e referohet personave të zhdukur me dhunë apo “forcibly disappeared persons’ në kuadër të drejtësisë ndërkombëtare”- theksoi ai.
“Është mirë me e idnetifiku vetëm një fjali këtu që vendos barazi në krime. Personat e zhdukur nuk janë kategori e re, ata dihen me emra e mbiemra dhe dihet kush i ka zhduke. Është idiotësi të thuhet se po barazohen krimet, kur dihet kur kanë ndodhur krimet, cilët janë personat e zhdukur me dhunë dhe kush ka informata që mund të shpiejnë në gjetjen e këtyre personave”- shtoi Bislimi.
Në kundërpërgjigje të Bislimit, deputeti Selmanaj u shpreh se mund të sjell dokumentacione në të cilën argumentohet se çështja e personave të zhdukur është trajtuar si top-prioritet nga Qeveria Hoti.
“Është fat i tmerrshëm për Kosovën që ka një nivel të tillë të përfaqësimit me këtë preson. Tema e të pagjeturve, janë fakte historike kur të doni ua sjelli me dokumente konkrete. Ka qenë temë top prioritet e Qeverisë Hoti që të mos hyjmë në asnjë temë tjetër, sepse ne kemi thënë që s’ka marrëveshje për asnjë çështje, temë tjetër, pa njohjen reciproke, pa marrëveshje finale, të gjitha temat, të pagjeturit, reperacionet e luftës, nuk është ai dokument që po i referoheni. Ka qenë top prioritet, edhe pse Bashkësia ndërkombëtare na ka kritikuar pse po e trajtoni top prioritet”- theksoi Selmanaj.
Deputeti i LDK-së është sqaruar në lidhje me konstatimin e Bislimit se, Selmanaj ka thënë se çështja e personave të zhdukur është ezauaruar por që çështja e raportimit si instrument është konsumuar.
“Unë e kam përsëritë qindra herë kam thënë në këtë Kuvend çështja e raportimit si instrument është konsumuar, kurrë në jetën time nuk kam thënë që çështja e të pa gjeturve është konsumuar, por është skenari perfid dhe i poshtër e iditoeskt që Vetëvendosje ka ndërtuar kundër meje atëherë si kauzë kundër meje dhe fatkeqësisht që vazhdon edhe sot një pseudoprofesor të thirret. Unë kam thënë instrumenti i raportimit është konsumuar. Tema e të pagjeturve, kushdo që ka gjak shqiptari në organizëm, kurrë nuk konsumohet. A ju dikush që dyshoni në gjakun tuaj nuk iu kam faj unë, dhe këtë duhet ta dini”- përfundoi deputeti Selmanaj.