Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Projektligji për FSK-në i Shkon Qeverisë për Miratim

Kadri Veseli njoftoi sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se Projektligji për FSK-në i është dërguar për miratim qeverisë.

“Sot me vendim unanim, disponim shumë të mirë, kemi proceduar Projektligjin për FSK-në. Nesër do të kemi vazhdimin e seancës me pikat që kanë mbetur”, tha Veseli.

Ai u pyet nga gazetarët se kur ky projektligj do të miratohet nga kabineti qeveritar për t’i shkuar për shqyrtim Kuvendit.

“Në rastin tim për 2 ditë (me kthy qeveria në Kuvend projektligjin), sa më shpejt”, tha Veseli.

Veseli pas mbledhjes së Kryesisë u arsyetua edhe pse transformimi i FSK-së nuk shkoi nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës.

“Për 3 vjet jemi munduar të kemi konsensus në vendimmarrjen politike për transformimin e FSK-së përmes kushtetutës, por nuk kemi gjetur mirëkuptim”, tha Veseli.

Për ndryshimet kushtetuese që do i hapnin udhë transformimit të FSK-së duheshin votat e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe shumicës së deputetëve të komuniteteve, por Lista Serbe nuk e donte këtë transformim.

Veseli pas mbledhjes së kryesisë foli edhe për Listën Serbe.

Ata [Lista Serbe] janë pjesë qenësore e institucioneve, jemi duke i ftuar dhe po i ftojmë në rend te parë t’u kthehen institucioneve”, tha Veseli.

Edhe Ismet Beqiri, shefi i grupit parlamentar të LDK-së tha se kjo parti e përkrah formimin e ushtrisë, por tregoi se dëshira e LDK-së ishte që ky proces të kryhej përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Dëshira jonë ka qenë që të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Ne duke besu që Presidenti këto i ka sqaru e bashkëpunon me ndërkombëtarët. Nuk ka deputet që nuk e përkrah. Ne kemi qenë e jemi për ushtri, ushtri që e përkrahin edhe partnerët tanë, se nuk dëshirojmë të kemi ushtri veç sa për të thënë që kemi ushtri”, tha Beqiri.

Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e “Vetëvendosjes” Aida Dërguti tha se ky subjekt në parim është për themelim të ushtrisë

Afati është një muaj, të shohim se sa shpejt do ta kthejnë. Në parim ne jemi për themelimin e ushtrisë.Do ta shqyrtojmë ndërkohë dhe besoj që do ta votojmë”, tha Dërguti.

Edhe Pal Lekaj në emër të AAK-së e përkrahu Projektligjin për FSK-në.

“Ne si AAK jemi për ushtri të Kosovës dhe për ne është me rëndësi përmbajtja dhe fuqia. Pa marrë parasysh kush e procedon, ne do ta përkrahim fuqishëm. Është mirë që kjo të ishte bë me ndryshime kushtetuese, na mbetet ne ta procedojmë e miratojmë ligjin ngase FSK na takon të gjithëve pa dallime politike”, tha Lekaj.

Dje Presidenti Thaçi Projektligjin për FSK-në ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ndërsa sqaroi se për shkak të kundërshtimit të Listës Serbe transformimi i FSK-së nuk shkoi nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

http://kallxo.com/thaci-fqinjet-transformimin-e-fsk-se-ta-shohin-si-hap-demokratik/

Kadri Veseli u pyet edhe për komentin e Enver Hasanit, ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese se nisma e Thaçit për transformimin e FSK-së është kundërkushtetuese.

“Profesori është shumë i mençur. Deputetët do të marrin vendime në bazë të ligjeve e kushtetutës. Mirë o me çu mendjen ka pozitiviteti, e jo aty ku e bllokon. Mos të tjerrim shumë.  Të ecim përpara, kemi edhe shumë vendime të mëdha”, tha Veseli.