Projektligji për Disiplinim të Gjyqtarëve e Prokurorëve Nuk Përkrahet nga Deputetët

Me 5 vota për dhe 5 kundër Komisioni për Legjislacion nuk e ka aprovuar në parim Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Prandaj ky projektligj shkon në seancë pa përkrahjen e komisionit.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha se nuk pajtohet me projektligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë por, sipas saj, edhe pse nuk mund ta ndalojnë për seancë, mund t’i propozojnë seancës që mos të procedohet.

Korab Sejdiu, anëtar i komisionit, tha se në këto ligje apo pako të ligjeve që kanë të bëjnë me drejtësi duhet të kenë të kemi kujdes që mos të ketë ndërhyrje të ekzekutivit në gjyqësor.

“Nuk guxojmë që të lejojmë asnjë institucion tjetër të ndërhyj në gjyqësor”, tha ai.

Sami Kurteshi, anëtar i komisionit, tha se në parim nuk duhet të procedohet me gjëra me të cilat në parim nuk pajtohen.

“Ne mund ta procedojmë por, dalin shumë amandamente e ndryshime. Unë personalisht e marr seriozisht sepse e di që nesër deshëm e nuk deshëm me këtë ligj kemi me funksionu. Me ditë ne diçka që nuk është në rregull dhe me lëshu nuk është në rregull”, tha Kurteshi.

E Hajdar Beqa tha se e ka parë se ligji ka gabime teknike e gjuhësore e mund te ketë edhe përmbajtjesore. Por sipas tij duhet ta përkrahin në parim.

Gjithashtu ka bërë thirrje që mos të bëhet politikë me secilin ligj.

“Nuk është mirë që me bo politikë me secilin ligj. Secila qeveri e ka politikën e vetë por normal që secili ligj duhet të jetë në harmoni me kushtetutën e vetë. Propozoj ta dërgojmë në Kuvend”, propozoi Beqa.

E Bilall Sherifi kërkoi që mos të krijohet shprehi nga ministritë që të dërgojnë projektligje në kuvend duke thënë se deputetët mes dy leximeve e rregullojnë.

Ai tha se edhe pse mendon që në të gjitha komisionet vijnë ligje të pa përgatitura, do të votoj që të shkohet me rekomandim pozitiv në seancë me arsyen se është pjesë e mazhorancës.

“Me vota vendoset a shkon me rekomandim pozitiv a negativ sepse ky projektligj shkon në Kuvend. Unë vazhdoj të mendoj se në të gjitha komisionet vijnë ligje të papërgatitura. Unë propozoj që të shkohet me rekomandim pozitiv sepse jam pjesë e kësaj mazhorance”, tha Sherifi.

Haxhiu ka reaguar ndaj deklaratës së anëtarit të komisionit Hajdra Beqa, duke thënë se deputetët janë politikanë dhe mund të shprehin qëndrimet e tyre.

Kundërpërgjigjja e Hajdar Beqa, ishte që pajtohet me gabime teknike e gjyqësore, por se mos ta politizojnë ligjin.

Kurse, Arben Gashi propozoi t’i ipet rekomandim negativ këtij ligji dhe t’i kthehet propozuesit.