Nga një vizitë e Shpend Ahmetit në shkollat e Prishtinës | Foto: Komuna e Ptrishtinës

Po Shtohen Nxënësit me Mbipeshë

Mbipesha e fëmijëve është bërë dukuri shqetësuese në shkollat e Prishtinës, pasi numri i fëmijëve të tillë po shtohet, sipas të dhënave të grumbulluara nga kontrollet sistematike të nxënësve.

Rezultatet e këtyre kontrolleve sistematike që po zhvillohen që 4 vjet u treguan në një konferencë për gazetarë nga mjekë e stomatologë që u përfshinë në to.

Gjatë paraqitjes së rezultateve të kontrolleve folën edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe drejtori për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale në këtë komunë Arben Vitia.

Shpend Ahmeti deklaroi se kontrollet kanë zbuluar edhe sëmundje që kanë mundur të jenë vdekjeprurëse te nxënësit individualë, ndërsa zbulimi i tyre me kohë ka shpëtuar jetë.

Kryetari i Prishtinës u rekomando edhe komunave tjera të kryejnë kontrolle të tilla shëndetësore nëpër shkolla.

Sipas mjekëve që kontrolluan nxënësit, kontrollet janë kryer në 51 shkolla të Prishtinës dhe fshatrave të saj te nxënësit e klasave të para , të pesta dhe të nënta.

Mbipesha e nxënësve është evidentuar si problemi kryesor, ndërsa ajo është më e shprehur te nxënësit e qytetit, sesa te ata të fshatit.

Por nxënësit e shkollave të qytetit kanë dalë nga kontrollet më të pastër se ata të fshatrave, ndërsa është konstatuar se mbi 90 për qind e nxënësve të kontrolluar kanë higjienë të kënaqshme.

Si kriter kryesor i higjienës është cilësuar higjiena e flokëve.

Nxënësit e klasave të para të fshatit kanë dalë më të gjatë sesa ata të qytetit, te klasat e pesta pastaj është nivelizuar gjatësia e nxënësve fshat-qytet, ndërsa te klasat e nënta më të gjatë janë nxënësit nga shkollat e qytetit.

Edhe vitin e kaluar mbipesha e nxënësve ishte problemi kryesor i zbuluar nga kontrollet sistematike.