Çdo i Pesti Nxënës në Prishtinë, në Mbipeshë

Rreth 22 përqind apo çdo i pesti nxënës në Komunën e Prishtinës vuan nga obeziteti (mbipesha e theksuar).

Këto rezultate kanë dalë nga vizitat sistematike që i janë bërë shkollave në Prishtinë nga mjekë të fushave të ndryshme në kuadër të projektit të Komunës së Prishtinës.

Sipas mjekëve, Nexhmedin Hoti dhe Teuta Hoxha obeziteti ka qenë e vetmja e dhënë që ka dalë më shqetësuese në krahasim me vitet e kaluara.

Ndërkaq sa i përket shëndetit oral sipas mjekëve, është vërejtur një përmirësim të higjienës orale dhe shëndetit oral në përgjithësi.

Ky është viti i tretë i realizimit të këtij projektit nga Komuna e Prishtinës që është përkrahur edhe nga Ambasada Çeke.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti cilësoi këto të dhëna si shqetësuese dhe u zotua për trajtim të problemit.

“Çështja që duhet ta adresojmë është mos aktiviteti i fëmijëve. Nuk ka sulm më të madh ndaj shëndetit të fëmijëve sesa kjo që po na ndodh neve me kompjuterë, me laptopë, me telefonë mobil, fëmijët janë bërë statikë në shumicën e kohës dhe ne duhet të bëjmë një strategji që ta luftojmë këtë dukuri”, tha Ahmeti.

Ndërkaq, Drejtori i Shëndetësisë Arben Vitia tregoi se Komuna e Prishtinës është duke planifikuar një projekt që do t’u mundësonte fëmijëve aktivitet fizik së paku një herë në javë.