Përplasje për Çmimet e Kontrollit të Automjeteve

Nijazi Ibrahimi, pronar i kompanisë “Autoinstrument”, e cila ka marrë autorizimet nga Ministria e Tregtisë dhe Infrastrukturës për ta bërë kalibrimin e pajisjeve të qendrave për kontrollimin teknik të automjeteve e pranon se çmimet që ka ofruar ai nuk janë siç kërkohen më Udhëzimin Administrativ për tarifa të metrologjisë.

Ai ka deklaruar se me çmimet të cilat janë të caktuara nga Agjencioni i Metrologjisë,  ai nuk do të bëjë kalibrimin e pajisjeve të qendrave të kontrollit teknik.

Në anën tjetër siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, Isa Elshani nga Agjencia e Metrologjisë ka thënë se në rast se kompania “Autoinstrument” vazhdon të mos i përfillë vërejtjet që ia kanë dhënë dhe të punojë me çmimet të cilat i ka caktuar vet atëherë do t`ia tërheqin autorizimin.

Mirëpo ai ka thënë se nuk është qëllimi i tyre që  t`i merret autorizimi, pasi që procesi i kalibrimit të pajisjeve tek qendrat për kontrollin teknik të automjeteve nuk është bërë asnjëherë dhe kjo shkon në dëm të qytetarëve.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, 105 qendrat për kontrollimin teknik të automjeteve po refuzojnë t`i nënshtrohen procesit  të kalibrimit të pajisjeve të tyre me arsyetimin se shteti ka krijuar monopol me autorizimin e një kompanie të vetme.

Të gjeturat e emisionit treguan se tani po bëhen 10 vite që kur kalibrimi i pajisjeve të qendrave për kontrollimin teknik të automjeteve është obligim ligjor, pasi që ligji për Siguri në Komunikacion i cili është në fuqi që nga viti 2007 e kërkon decidivisht një gjë të tillë. Mirëpo, asnjëherë deri më sot shteti nuk ka arritur që ta përmbushë këtë obligim ligjor.

Emisionin e plotë mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm: