Ndërtesa e Komunës së Pejës. Photo: Atdhe Mulla.

Për Mbeturinat dhe Prerjen e Pyjeve Diskutohet në Pejë

Menaxhimi i mbeturinave, prerja e pyjeve, dhe ndotja e ambientit nga ujërat e zeza ishin shqetësimet që u ngritën gjatë raportit informues për mjedisin në Asamblenë e Pejës.

Muhamet Haliti, shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së,  parti që në Pejë qeveris bashkë me LDK-në tha se pyjet nuk po mbrohen.

“Në radhë të parë është prerja ilegale e pyjeve. Disa herë e kemi ngritur këtë çështje, po këtu po shkojnë duke e gjuajtur topin, jo Ministria e Mjedisit, Ministria e Mjedisit thotë jo është çështje e komunave, e pyjet po prehen”, tha Haliti nga PDK-ja.

Asamblisti i AAK-së Naim Sahiti tha se shkurtimi i mjeteve për ndërmarrjen që mbledh mbeturinat ia ka pamundësuar asaj kryerjen si duhet të punës.

“Te grumbullimi i mbeturinave duhet shumë me ba, ndërmarrjes që e bën këtë punë me këto vendime që po bëni për t’i çuar punë sektorit privat, ia keni shkëputur mundësinë për me kanë në gjendje me bo shërbime çfarë duhet”, tha Sahiti.

këshilltari komunal nga Lëvizja “Vetëvendosje” Avdi Shkreli reagoi për mospastrimin e mbeturinave në zonën e Rugovës.

“ Menaxhimi i mbeturinave veçanërisht në pjesën turistike të Rugovës, konsideroj se me vite rresht nuk janë menaxhuar, apo nuk është bërë pastrimi si duhet”, tha Shkreli .

Drejtori i Urbanizimit, Skender Shala tregoi çfarë po e shkakton prerjen e pyjeve.

“Sa i përket prerjeve të pyjeve tanë e dimë po e shohim së katastrofë është ajo punë, po nuk e di çka mundet komuna me bërë ma shumë për këtë farë pune. Unë mendoj që duhet me zgjedh pak çështjen e papunësisë, ndoshta nuk ishin shkuar njerëzit mi pre ato male, po është fenomen shumë i keq”, tha Shala.

Drejtori i Urbanizmit më tutje tha se mbeturinat nuk po bien nga qielli.

“Sa i përket që fajet s’i kanë njerëzit për mbeturina, nuk e di kush i ka. Prej nalti nuk o ka vinë këto, po vetë jemi t’u i gjuajt na. Jemi të pandërgjegjshëm, duhet me pranuar publikisht”, tha drejtori Shala.

KALLXO.com ka raportuar disa herë për gjendjen e krijuar nga mbeturinat në qytetin e Pejës.

http://kallxo.com/peja-lulezon-nga-mbeturinat/

http://kallxo.com/mbeturinat-mysafire-te-pernatshem-te-sheshit-ne-peje/

Po ashtu KALLXO.com kishte raportuar edhe për shqetësimin e qytetarëve nga derdhja e ujërave të zeza në sipërfaqe.

http://kallxo.com/fontana-e-fekaleve-ne-peje-zhduket-pas-interesimit-te-kallxo-com/

Regjioni i Pejës, me Problemet më të Mëdha në Kosovë