Regjioni i Pejës, me Problemet më të Mëdha në Kosovë

Këtë konstatim e kanë nxjerrë Instituti për Studime të Avancuara GAP, dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN, ditën e martë në Pejë.

Këto dy organizata, kanë shpalosur problemet e Pejës, Deçanit, Klinës dhe Istogut, pasi e kanë bërë këtë edhe në shumë komuna tjera të Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale të këtij vitit si kujtesë e pushteteve lokale për intervenim në mandatin e tyre të ardhshëm.

Bekim Salihu, menaxher për qeverisje lokale në GAP, duke prezantuar të gjeturat kryesore të raporteve, është përqendruar në problemet të cilat GAP ka identifikuar gjatë hulumtimeve në terren.

“Shqetësimet kryesore të banorëve të Komunës së Pejës janë, mungesa e objekteve shkollore, mungesa e rrjetit të kanalizimit në disa fshatra, prerja e pyjeve, mungesa e ujit të pijes, eksploatimi ilegal i zhavorrit nga lumenjtë, mungesa e Qendrave Mjekësore në fshatrat e Rugovës, hedhja e mbeturinave në lumin Çokolica, rruga e dëmtuar dhe e ngushtë ne relacionin Pejë – Tërstenik, derdhja e kanalizimeve në Lumbardh dhe mungesa e ndriçimit publik në disa zona”, tha Salihu.

Ai ka prezantuar edhe problemet më të cilat ballafaqohen komunat tjera të regjionit të Pejës, të cilat nuk dallojnë aq shumë nga ato të komunës së Pejës.

“Ndërkaq disa prej problemeve kryesore në tri komunat tjera janë edhe mungesa e ujit të pijes, ndotja e ambientit nga gurthyesit, mungesa e çerdheve, mungesa e nënkalimeve dhe urave, mungesa e sinjalizimit horizontal dhe vertikal të rrugëve, prerja e pyjeve, moszhvillimi i turizmit si dhe mbeturinat dhe deponitë ilegale”, tha ai.
 
Berat Thaqi, hulumtues në GAP, prezantoi trendet buxhetore për këto pesë komuna, të nxjerra nga Raportet Financiare dhe Kornizat Afatmesme Buxhetore 2014-2016.

“Përfshirja e KAB në raportet e GAP ka për qëllim informimin e qytetarëve për kapacitete buxhetore të komunës dhe ndërlidhjen e buxhetit me aftësitë e komunës për të zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët”, tha ai.
 
Florent Spahia, hulumtues i BIRN-it shpalosi planet e kësaj organizate për debatet parazgjedhore me kandidatët për kryetar komunash, të cilët do të përballen me pyetje konkrete se si do ti zgjidhin problemet e identifikuara nga BIRN dhe GAP.

“Ne ftojmë të gjithë qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës që të gjitha shqetësimet e tyre t’i adresojnë përmes platformës kallxo.com, këto shqetësime pastaj do t’i parashtrohen në formë pyetjesh edhe kandidatëve për kryetar komunash gjatë debateve paraelektorale”, tha Spahia.

Më pas ai ka thënë se këto raporte do t’i dorëzohen të gjithë kandidatëve për kryetar komunash, me qëllim që kandidatët të përfshijnë në programin e tyre zgjedhor edhe alternativat për zgjidhjen e këtyre problemeve.
 
Në ditët ne vijim, GAP dhe BIRN do vazhdojnë publikimin e raporteve komunale edhe për komunat e regjionit të Prishtinës.