Pallati i Drejtësisë Nis të Mbushet me Orendi dhe Pajisje

Institucionet e Drejtësisë kanë filluar të afrohen njëra me tjetrën duke u zhvendosur në një kompleks të përbashkët katër kilometra larg Prishtinës.

Sipas Zeqir Bekollit udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Administratës Publike, në kompleksin e Pallatit të Drejtësisë po vendosen Gjykata Themelore, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, Gjykata e Apelit Departamenti i Krimeve të Rënda dhe sallat e gjykimeve.

Të parat që kanë filluar të çojnë në këtë pallat pajisjet e tyre janë Prokuroria Themelore dhe Gjykata e Apelit.

“Bartja e pajisjeve nga ana e Prokurorisë Themelore dhe Gjykatës së Apelit veç ka filluar” thotë Bekolli.

Gjykata e Apelit të enjten me anë të një komunikate njoftoi nisjen e zhvendosjes nga objekti ku kryente punën drejt Pallatit të Drejtësisë.

Ky pallat në strukturën e tij duhet të përfshijë edhe Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Supreme, Prokurorinë e Shtetit, atë Speciale dhe të Apelit.

Zhvendosja e të gjitha këtyre institucioneve nga ndërtesat ku vepronin drejt pallatit të përbashkët, do të lërë hapësira që mund të shfrytëzohen nga institucionet tjera publike.

Njëri nga këto institucione është ai i Avokatit të Popullit që pritet të hyjë në objektin e Gjykatës Kushtetuese, kur kjo gjykatë me të gjitha pajisjet dhe njerëzit e saj të dalë në pallat.

Në fakt, vendimi për akomodimin e Avokatit të Popullit në ndërtesën aktuale të Gjykatës Kushtetuese ishte marrë dy vjet më parë, por nuk ka mundur të zbatohet për shkak se shtëpia e re e Gjykatës Kushtetuese, Pallati i Drejtësisë, nuk është vënë ende në funksion.

Pallati i Drejtësisë është projekti më i madh i financiar nga BE-ja në Kosovë, me një vlerë të përgjithshme mbi 30 milionë euro.

BE-ja ka mbështetur financiarisht ndërtimin e katër prej pesë ndërtesave të kompleksit, ndërsa Qeveria e Kosovës ka ndërtuar të pestën, si dhe është angazhuar për kryerjen e punëve që ndërlidhen me infrastrukturën.

Kompleksi ndërtimor është pritur të finalizohej në vitin 2013, por disa nga institucionet që do të vendosen në të kanë kërkuar ndryshime të pjesëve të projektit për t’ua përsshtatur objektin nevojave të punës së tyre.

Kjo gjë ka vonuar përfundimin e punimeve.

Hapësira e përgjithshme e planifikuar e Pallatit të Drejtësisë është rreth 50 000 metra katrorë me parking nëntokësor për mbi 200 vetura. Pritet që rreth 625 punëtorë të punojnë në kompleksin e ardhshëm të drejtësisë, i cili ndodhet rreth kilometrit të katërt prej qendrës së Prishtinës.