Mogherini ia Përmend Pacollit Kushtin e Demarkacionit

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini ka kërkuar nga Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, sot në Bruksel që qeveria e re të angazhohet në përmbushjen e kushteve të vëna për liberalizim të vizave.

Një komunikatë e lëshuar nga Zyra e Mogherinit në Bruksel thotë se diplomatja europiane ka theksuar se me qeverinë e re tashmë në punë “Kosova është në pozitë të mirë për të ecur përpara në përmbushjen e dy kushteve të vetme të mbetura për liberalizimin e vizave, ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Federica Mogherini gjithashtu rikonfirmoi angazhimin e saj të fuqishëm për perspektivën europiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që deri në fund të mandatit të saj progresi i arritur të jetë i pakthyeshëm për të gjithë gjashtë partnerët”, thuhet në komunikatë.