Pal Lekaj - Foto: Facebook

Lekaj: Jam Plotësisht i Pastër

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, dhe dy personave të tjerë të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

I kontaktuar nga KALLXO.com, deputeti Lekaj tha se reagimi i tij është publik në rrjetin social “Facebook”.

“Në këtë kohë kur Kosova po kalon nëpër sfida të mëdha, e opozitarizmi bashkë me qytetarët e Kosovës është si kurrë më parë kundërshtuese e të këqijave që po i kanosen Kosovës, dalin të tilla lajme denigruese, totalisht të ndikuara nga politika e lidhjeve të shkurtëra. Kjo tregon se kësaj qeverie i është ngushtuar rrethi dhe prandaj tani kanë filluar që në emër të drejtësisë të bëjnë “luftën e shtrigave”, ka shkruar Lekaj në profilin e tij.

Më tutje deputeti i AAK-s dhe ish-kryetari i Komunës së Gjakovës tha se është plotësisht i pastër.

“Jam plotësisht i pastërt në të gjitha përgjegjësitë që i kam pasur dhe çdo herë kam qenë në shërbim të qytetarëve dhe të Kosovës. Unë nuk kam asgjë zyrtare dhe nuk dua të lëshohem në komentime me tutje, përveç që nuk do të mundet askush të na gjunjëzoj”, përfundon ai në postimin e tij.

KALLXO.com ka raportuar sot për aktakuzën e ngritur ndaj deputetit Lekaj nga ana e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Aktakuzë ndaj Pal Lekajt