Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë. Foto: Europol.

Ideja për Shfuqizimin e Speciales, Bujë në Rrjete Sociale

Propozimi i 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ka shkaktuar reagime të shumta nëpër rrjete sociale.

Kryesia e Kuvendit është duke e diskutuar propozimin e 43 deputetëve për shfuqizimin e gjykatës të cilën deputetët i kishin miratuar me shumë zhurmë në gusht të vitit 2015 ndërsa analistë të shumtë kosovarë kanë marrë rrjetet sociale për të reaguar ndaj kësaj iniciative.

Sipas analistit Lulzim Peci, me shfuqizimin e ligjit të Gjykatës Speciale, Kosova do të shihet në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si shtet mashtrues.

“Nëse sillet në votim shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale, Kosova do të konsiderohet nga bashkësia ndërkombëtare si “rogue state” – shtet mashtrues dhe do të hyj në rang me Korenë e Veriut, Iranit dhe Serbisë së Millosheviqit të fillim 90ve të shekullit të kaluar”, ka shkruar Peci në Facebook.

Sipas tij, me shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Kosovs do ti rikthehet rezoluta 1244 dhe do të përfundoj tregimi i pavarësisë për Kosovën.

“Nëse kjo bëhet, Gjykaten Speciale do ta rikthej Këshilli i Sigurimit i OKB-së, do të rikthehet në veprim fuqishëm rezoluta 1244 e OKB-së, dhe do të perfundoj tregimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës për vitet në vijim. Sot, dëm më të madh vendit tonë jane duke i bërë liderët politik të saj se sa vet Serbia e Rusia”, ka vazhduar në shkrimin e tij Peci.

Njëjtë si Peci mendon edhe njohësi tjetër i cështejve politike Shkëlzen Maliqi.

“Komandantet si ko-mutantet: a e dinë se Rezoluta 1244 e KS të OKB nuk është shfuqizuar? Gjykata Speciale nuk zhbëhet, vetëm kthehet si instrument i UNMIK-ut të rifuqizuar”, ka shkruar Shkëlzen Maliqi në Facebook.

Ndërsa për gazetarinë Adriatik Kelmendi një veprim i tillë e zbehë dukshëm mbështetjen perendimore si dhe rritë apetitet e Serbisë karshi Kosovës.

“Hidhet në votim dhe zhbëhet Gjykata Speciale – Kosova tregon joseriozitet të skajshëm shtetëror, i thotë jo drejtësisë ndërkombëtare, hyn në situatë kur mund të kërkohet riaktivizimi i qeverisjes së Kosovës nga Rezoluta 1244, zbehet dukshëm mbështetja perëndimore, rriten apetitet e Serbisë ndaj Kosovës!”, ka shkruar gazetari Adriak Kelmendi

Ndërsa Imer Mushkolaj e quan lojë të rrezikshme veprimin e deputetëve për të shfuqizuar ligjin e Speciales.

“Po bëjnë lojë të rrezikshme për t’ardhmen e Kosovës, vetëm për të shpëtuar lëkurën e vet. Kjo nuk duhet të ndodh!”, ka shkruar Mushkolaj në profilin e tij në Facebok.

Ndërsa analisti Jusuf Thaçi që ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, ka shkruar se ligji nuk guxon të shfuqizohet pa debat dhe se kjo do të sillte një konfrontim me bashkësinë ndërkombëtare.

“Pavarësisht qëndrimit ndaj “Gjykatës Speciale”, vendimi për shfuqizimin e saj nuk guxon të kontrabandohet e të bëhet pa debat e nën presion. Kjo nuk do të ishte vetëm konfrontim me bashkësinë ndërkombëtare, por do të ishte dinakëri e Kosovës karshi miqve ndërkombëtarë. Andaj, deputetët nuk duhet të marrin pjesë në këtë seancë nëse ajo mbahet sonte, kështu pa paralajmërim e pa debat të duhur”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Në lidhje më tentimin për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Specile kanë reaguar ambasadorët, ai amerikan dhe britanik, duke e cilësuar këtë si ‘thikë pasë shpinës’ e si një nga netët më të vështira të Kosovës që nga lufta e fundit.

http://kallxo.com/mesazhi-trete-delawie-shfuqizimi-speciales-thike-pas-shpine/

http://kallxo.com/delawie-ndryshimi-ligjit-per-gjykaten-speciale-ide-e-tmerrshme/

http://kallxo.com/oconnell-kjo-mund-te-jete-nata-e-rrezikshme-per-kosoven/