Hamdi Ibrahimi: Pallati Impozant por Jofunksional

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës Hamdi Ibrahimi në një intervistë për KALLXO.com është ankuar për problemet e shumta teknike të Pallatit të Drejtësisë.

Ai thotë se pallati ishte shumë i nevojshëm, por punët në të u kryen keq.

“Ne përfundimisht në regjionin e Prishtinës kemi marrë në përdorim një pallat që për nga dukja është impozant  dhe vërtet është diçka që thuhet se mezi kemi pritë. Këtu janë ndërtuar hapësira shumë komode, por si duket ndërtimi i të gjitha objekteve të Pallatit të Drejtësisë ka shkuar në një mbikëqyrje që rezulton që nuk ka qenë mbikëqyrje si duhet,” shpjegën Ibrahimi.

Ibrahimi bëri të ditur se pallati ka probleme në segmentet e tij elementare.

“Në shumë pjesë të Pallatit të Drejtësisë ka defekte në sistemin e ajrosjes, çka është më e keqja ka defekte në ashensorë, sepse shumica prej tyre nuk funksionojnë ose nëse funksionojnë, funksionojnë herë po, herë jo edhe asnjë individ që lëviz nëpër ashensorë në Pallatin e Drejtësisë nuk është i sigurt se kur hyn edhe ka me dalë”, tha Ibrahimi.

KALLXO.com-i shkroi për lëndimin e katër punëtorëve të Gjykatës së Apelit, pasi ata i lëshoi ashensori i Pallatit të Drejtësisë më 15 prill.

Pallatit nuk po i funksionon si duhet as sistemi i ajrimit.

“Një anëtare e trupit gjykues në një seancë për shkak të mungesës së ajrit ajo veç është alivanosur dhe është dashtë të ndërpritet seanca ku ka pasë shumë të akuzuar dhe jo vetëm ajo, por të gjithë janë ndier keq”, thotë Ibrahimi.

KALLXO.com-i shkroi të premten edhe për këtë seancë ku pati probleme shëndetësore anëtarja e trupit gjykues.

Kryetari Hamdi Ibrahimi thotë se problemet me ajrimin nganjëherë po shkaktojnë edhe ndërprerjen e punës.

“[Të enjten] është dashur komplet Departamentin e Krimeve të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm diku pas orës 10 të paradites me i nxjerrë jashtë se në atë kohë  funksiononte nxemja  e jo sistemi i ftohjes dhe ajrosjes dhe definitivisht  është e qartë  se ka defekte në sistemin e ajrosjes”, thotë Ibrahimi.

Për mungesë oksigjeni në pallat protestuan punonjësit e sistemit të drejtësisë më 16 prill.

ibrahimi thotë se edhe telefonia fikse nuk është rregulluar si duhet.

“Rrjeti i telefonisë ka ardhur shumë mirë deri në hyrje të pallatit, ndërsa prej katit përdhes ne nuk mundemi me ngrit lart me përdor, sepse mungojnë lidhjet përkatëse. Kemi problem ta shpërndajmë lidhjet telefonike nëpër zyra tjera, kështu që shumica e gjyqtarëve nuk kanë mundësi të kenë telefoni fikse,” tregon defektet tjera Ibrahimi.

Për të identifikuar dhe zgjidhur problemet teknike të pallatit pritet të vijë një ekip ekspertësh nga një shtet evropian.

“Ne presim që të bëhet vlerësimi i kushteve nga një mekanizëm ndërkombëtar i jashtëm. Është thënë se do të vijë një ekip nga Franca dhe do të shohë se çka ka ndodhur dhe çka po ndodhë këtu. Tek atëherë mund ta dimë se ku jemi. Ajo që po e dimë është se nuk jemi të sigurt sa i përket sistemit të ajrosjes,” thotë Ibrahimi.

Ai sqaron se krahas menaxhimit të punës së gjykatës që drejton, e ka obligim mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve të kësaj gjykate dhe krijimin e kushteve të nevojshme për punë normale.

Ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë kushtoi mbi 30 milionë euro, 26 nga të cilët i dha Bashkimi Evropian.