Sfidat e Prodhimit Vendor

Cilësia, tregtimi dhe mungesa e investimeve të përshtatshme renditen ndër sfidat kryesore të prodhimit vendor.

Prodhimet vendore të Kosovës, pavarësisht reputacionit të mirë brenda vendit dhe kërkesës nga ana e konsumatorëve, nuk kanë qasje të mjaftueshme në treg.

NDËRLIDHUR

Qytetari Agron Xhemajli i cili jeton në Prishtinë thotë se konsumon produkte vendore vazhdimisht, mirëpo jo gjtihmonë i gjen produktet vendore që kërkon në marketet e Kosovës.

“Ka markete që nuk i kanë dhe mua më duket se nuk janë të shtrime, të them të drejtën nuk i njoh të gjitha dhe nuk i di krejt çfarë ka nga produktet ushqimore, por e vërej që kualiteti është shumë i mirë, sidomos djathrat, mishrat, i gjen të gjitha”, tha Xhemajli.

Cilësia e prodhimeve vendore, besimi i qytetarëve në këto prodhime, hapësira që u jepet në markete dhe kërkesat për këto produkte janë trajtuar edhe në emisionin Jeta në Kosovë.

Besian Mustafa drejtor në Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA) tha se në Kosovë ka nevojë për më shumë produkte kosovare.

“Është dëshirë e qeverisë së Kosovës që të shohim më shumë produkte kosovare duke u shitur në dyqanet e Kosovës”, tha Mustafa në emisionin Jeta në Kosovë.

Por përkundër dëshirës për të parë prodhimin vendas të zhvillohet, të dhënat flasin se kapacitetet dhe shtrirja në treg janë shumë të kufizuara.

Përderisa disa qytetarë i kërkojnë prodhimet vendore e nuk i gjejnë atëherë vihet në pikëpyetje edhe mundësia e eksportit të prodhimeve të vendit.

Një hulumtim i publikuar nga Instituti “INDEP” në shkurt të vitit të kaluar mbi bashkëpunimin tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, arriti në përfundimin se ky i fundit është shumë i ulët.

Por vetë studimi thekson se secili vend nuk arrin më së pari të përmbushë kërkesat vetjake me prodhime vendore, e jo më të të ketë kapacitet për të eksportuar drejt fqinjit.

“Mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe financiare, si dhe kushtet jo të volitshme për tërheqjen e investimeve në vend, kanë ndikuar në performancë të dobët të vendit në këtë drejtim”, thuhet në raportin e INDEP [këtu raporti i plotë].

Pamjaftueshmëria e prodhimit vendor të Kosovës për të përmbushur nevojat brenda kufijve të saj, konfirmohet edhe nga perceptimi i qytetarëve të tjerë.

Hyse Baftija nga Gjakova thotë se për ato produkte vendore që i konsumon, por nevoja për prodhime të tilla është më e madhe.

“Të them të drejtën ne jemi të interesuar të gjejmë prodhime vendore, po për mendimin tim janë të pakta ato që i gjejmë, jemi të interesuar, por i gjejmë shumë pak”, tha Baftija.

Edhe Alban Ibrahimi nga Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve tha në emisionin Jeta në Kosovë se prania e produkteve vendore në tregun kosovar është e mangët.

“Është problem i grumbulluar për dekada të tëra”, tha Ibrahimi.

Sipas tij, kjo ndërlidhet edhe me zinxhirët e furnizimit, ai thotë se ka mungesa në organizim të brendshëm të kompanive.

“Në përgjithësi ekonomia e Kosovës nuk është e planifikuar mirë”, tha ai.

KALLXO.com pati raportuar në tetor të vitit të kaluar se si panairit bujqësor i ishin pakësuar vizitorët, dhe se qytetarët që e vizituan këtë panair nuk ishin të kënaqur me ekspozimet e bëra atje.

Panairit Bujqësor kur Bëhet Rajonal i Pakësohen Vizitorët

Blerta Rudi Rizvanolli, menaxhere e një marketi në Gjakovë thotë se prej vitit në vit ka rritje të dukshme të konsumit të produkteve vendore.

“Cilësia është në nivel, por ajo mund të rritet e të përmirësohet vazhdimisht. Kjo varet nga aftësia blerëse e konsumatorëve”, tha Rizvanolli.

Sadri Asllani qytetar nga Gjakova thotë se kur del për të mbushur shportën familjare orientohet te produktet vendore, por jo gjithnjë ndahet i kënaqur.

Tentativat për të shitur sa më shumë prodhime vendore sipas prodhuesve dhe qytetarëve duhet të jenë më të shpeshta.

Në vitin 2014 prodhuesit e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë për herë të parë u bënë bashkë në sheshin e Prishtinës për të hapur panairin unik “Blej Shqip” për hir të festës së 28 Nëntorit.

Panairi “Blej Shqip” Bashkon Shqiptarët në Prishtinë

Aty u ekspozuan prodhime të ndryshme të prodhuesve nga të tri vendet.

Që prodhuesit duhet të bëjnë më shumë këtë e thotë edhe Agon Gashi nga rrjeti i marketeve “Meridian”.

Por sipas Gashit, produkteve vendore ndodh t’u jepet më shumë hapësirë se sa që e meritojnë, sepse në disa raste cilësia e tyre është në nivel më të ulët sesa ajo e produkteve të importit.

Fatos Islami nga kompania “Elkos” tha se rrjeti i marketeve të kompanisë që ai përfaqëson po i jep hapësirë të madhe produkteve vendore.

“Ish dashtë me punu më shumë në edukim apo brendim, brenda markete të vendoset ndonjë shenjë se cilat janë produktet kosovare, besomni që nuk i njohin shumicën e produkteve sepse është përmirësuar cilësia dhe paketimet”, tha Islami në emisionin Jeta në Kosovë.

Në promovimin e produkteve vendore ka pasur edhe disa storje suksesi, KALLXO.com raportoi se në Mamushë gjatë vitit të kaluar Nexhat Morina bujk dhe kryetar i Shoqatës së Fermerëve në Komunën e Mamushës punon vazhdimisht për zhvillimin e produkteve të vendit.

“Mamusha ka arrit kapacitete me sera 200 hektarë e përmbi”, tha ai, duke shpejguar zhvillimin bujqësor në këtë zonë. Por ky mbetet një rast i izoluar dhe jopërfaqësues për pjesën tjetër të Kosovës.

Valdet Gjinovci drejtor në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës tha se siguria e prodhimeve vendore në Kosovë janë duke u bërë konkurrente edhe me prodhimet që vijnë nga vendet e zhvilluara.

“Industria ushqimore në Kosovë është industri e re por shumë e avancuar”, tha Gjinovci. Ai tha se ekziston programi i monitorimit dhe vlerësimit dhe bëhen analiza të ndryshme për këto prodhime.

Fisnik Reçica nga Projekti për promovimin e punësimit privat tha se konsumatori nuk po e njeh gjithë prodhimin vendor. “Është një lloj mentaliteti te një pjese e prodhuesve që i ofrojnë produktet për t’u blerë po bëjnë shumë pak për ti shitur ato”, tha Reçica.

19 Janar 2016 - 10:52

Paulina Nushi 19/01/2016 - 10:52
NDËRVEPRIMI0