Dogana: ShBA tregu kryesor i eksportuesve nga Kosova

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka thënë se në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë tashmë tregu kryesor eksportues i Kosovës.

Llugaliu tha se kohëve të fundit po vërehet një interesim i madh nga ana e investitorëve të huaj për bashkëpunim me prodhuesit e Kosovës.

Ai shtoi që dogana është ne dispozicion dhe e hapur për të gjitha kërkesat në mënyrë që investitorët të mos hasin në pengesa apo barriera në Kosovë.

Llugaliu shtoi se Dogana e ka për synim vendosjen e standardeve të reja në lidhje me kërkesat e prodhuesve të cilat sipas tij do të pranojnë përgjigje brenda dy javëve në lidhje me autorizimet.

‘’Një ndër objektivat kryesore strategjike të doganës është lehtësimi i tregtisë në të cilin ka pasur progres të dukshëm vitin e kaluar, por që gjithmonë ka çështje në të cilat duhet fokusuar më tepër’’, tha ai.

Këto deklarata Llugaliu i tha gjatë takimit të mbajtur me anëtarët e komiteteve të Odës Ekonomike Amerikane, ku u shpreh se komunikimi në mes të institucionit që ai drejton dhe bizneseve është gjithmonë i mirëseardhur.