Prodhimet 'Made in Kosova': Nis prodhimi i veshjeve të reja sportive

Kosova është vend me dhjetëra qendra tregtare ku shiten veshje të shumta kryesisht nga importi.

Kreatorët vendorë dhe prodhimtaria e veshjeve në vend është në mesin e industrive më premtuese, e cila është duke u rritur me të madhe sidomos në prodhim.

S//Sprint, një biznes i nisur nga disa tregtarë veshjesh është shndërruar në njërin prej brendeve kryesore të veshjeve sportive në vend. Së fundmi ky biznes ka lansuar linjën e re të prodhimit, për prodhimin e xhaketave dhe fustaneve sportive.

Konsumatorët vendorë në qendrat tregtare të vendit mund të gjejnë prodhimet e kompanisë S//Sprint.

Kompania kosovare “S//Sprint” mbulon rreth 70% të veshjeve sportive në vendin tonë. Kjo kompani prodhon dhe shet në Kosovë dhe më gjerë veshje të stilit sportiv si tuta sportive, bluza, duksa, të brendshme, çorape si dhe atlete sportive.

S//Sprint në sektorin e prodhimtarisë ka startuar fillimisht me vetëm 3 punëtorë në fabrikë, ndërsa aktualisht ka mbi 150 punëtorë dhe fabrikën e prodhimit prej 3000 metra katrorë në Podujevë.

Prodhimet e kompanisë janë për të dyja gjinitë, si dhe për të gjitha moshat, duke filluar nga fëmijët e deri tek të moshuarit.

Aktualisht në Kosovë ka tre pika të shitjes, dy në Prishtinë dhe një në qytetin e Ferizajt. Por shumë shpejtë “S//Sprint” ka për synim që pikat e shitjes t’i hapë edhe në shumë qytete të tjera të Kosovës.

Zhvillimi i kompanisë nisi me prodhimin e tutave sportive ndërsa në vitin 2015 nisi prodhimi i të brendshmeve, për tu pasuar në vitin 2020 me prodhimin e çorapeve ndërsa në vitin 2022 kompania ka nisur të prodhojë edhe xhaketa dhe fustane sportive.

Ajo çka vlen të theksohet, është se S//Sprint prodhimin e produktit e bën të kualitetit të njëjtë, sikurse për tregun e Kosovës edhe për atë Evropës dhe më gjerë.

Elementi kryesor që përdoret për prodhimin e veshjeve sportive tek S//Sprint, është pambuku, pasi që ky material ofron mundësinë e komoditetit dhe lirshmërisë.

Në S//Sprint prodhohen rreth 200 lloje të produkteve, por veshjet sportive sikurse janë tutat sportive, dominojnë më shumë.

Varësisht prej sezonit, në prodhimtari dominojnë pizhamet, duksat dhe maicat. S//Sprint bën eksportin e produkteve edhe në disa vende të zhvilluara siç janë Gjermania, Austria dhe Zvicra. Shumë shpejtë “S//Sprint” pritet që të fillojë eksportin edhe me shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut.

S//Sprint brenda një periudhe të shkurtër prej dy vjetësh, jo vetëm që krijoi segmentin e vet në treg, por gjithashtu filloi me linja të reja të produkteve, duke dyfishuar kapacitetin e saj prodhues dhe duke e trefishuar numrin e punëtorëve.

Aktualisht, objektivi kryesor i kompanisë është prezenca online për të gjithë klientët.