VIDEO: Mërgimtari hap fabrikë në vendlindje, punëson 150 veta, prodhimet i eksporton në Europë

Mërgimtari nga Bellanica e Malishevës, Naser Hoxha, i cili punon në Turqi, ka bërë një investim të madh në vendlindjen e tij.

Në Bellanicë, ai ka hapur një fabrikë për prodhimin e maskave për mbrojtje nga COVID-19.

Në këtë fabrikë janë punësuar 150 persona, kryesisht nga Bellanica por edhe nga fshatrat përreth.

80 për qind e të punësuarve janë vajza e gra.

Në një bisedë për KALLXO.com Hoxha tregon si i lindi ideja për hapjen e fabrikës.

Ai thotë se në ditët kur u mbyllën kufijtë për shkak të pandemisë ai ishte në vendlindje dhe me vëllanë Blerimin kishin diskutuar se çfarë të bënin dhe duke e parë nevojën për maska, të cilat mungonin në masë të madhe, menduan ta hapnin fabrikën për maska, pasi që lokalin e kishin të gatshëm prej disa vitesh.

Naser Hoxha thotë se kur e përmendën çështjen e maskave fillimisht kishin qeshur, por më pas e kishin shtyrë përpara idenë dhe e realizuan.

Për prodhimin e maskave njëpërdorimëshe të brendit “Myfixmask” punohet në tri ndërrime.

Për dallim nga maskat që janë në tregun e Kosovës, Naser Hoxha thotë se maskat që prodhohen në fabrikën e tyre janë të kualitetit shumë të lartë.

Naser Hoxha, pronar i fabrikës “Myfix mask”

“Në tregun e Kosovës ka maska që janë importu nga Kina dhe vende të tjera. Nuk është pse ne po dojmë me pengu dikënd që të blejë jashtë, por është këtu, është kualiteti, garantojmë për të, është çmimi dhe është prodhim vendor”, thotë Naser Hoxha.

Maskat “Made in Kosovo” shiten në Europë, kryesisht në Zvicër, Gjermani e Suedi.

Maska është një prej masave të rekomanduara nga institucionet shëndetësore të Kosovës për t’u mbrojtur nga pandemia e COVID-19.