Kryeqyteti pa Ligj, e me Telashe Bazike

Obiliqi ka arritur ta ketë një ligj, e kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, ende është pa të. Për pasojë, kryeqyteti për vite me radhë ka pasur më pak buxhet se sa duhet të ketë një kryeqytet. Prishtina merr buxhet për 205 mijë banorë, a në fakt janë edhe shumë familje të tjera që jetojnë në Prishtinë por janë regjistruar si banorë të komunave tjera. Por, ka edhe shumë persona që vijnë në baza ditore në Prishtinë. Pra, ata krijojnë shpenzime për komunën e Prishtinës, por kjo e fundit nuk merr asgjë në kthim.

Prishtina përballet me shumë probleme të cilat kërkojnë zgjidhje. Hapësirat dhe trotuaret e uzurpura publike, rrugët e prishura, mungesa e parkingjeve, mungesa e hapësirave të gjelbra, ndotja e ajrit, mbeturinat dhe deponitë ilegale, mos-legalizimi i shumë banesave e shtëpive, mungesa e një tregu të mirëfilltë  për pemë e perime, mungesa e një stadiumi që i plotëson kriteret e FIFA-s, e  një salle sporti që i plotëson kushtet e FIBA-s, janë disa nga problemet e qytetit më të madh.

Kaosi urban, mungesa e trotuareve dhe parkingjeve

Hapësirat publike dhe trotuaret e uzurpuara ia vështirësojnë jetën çdo këmbësori të Prishtinës. Një hulumtim i BIRN-it ka identifikuar rreth 200 hapësira e tortuarë publik të uzurpuar vetëm në radius të qendrës së Prishtinës.

E quajtur Harta e Uzurpatorëve i kategorizon disa lloje të uzurpimeve të trotuareve. Janë identifikuar hapësira ku këmbësori nuk mund të ecë në trotuar, vende ku vetëm karrocat nuk mund të kalojnë në trotuarë, uzurpatorët që e kanë përvetësuar trotuarin në mënyrë të përhershme, uzurpatorë dhe pengesa të shpeshta në trotuar, si dhe “pengesa publike”, si shtylla elektrike dhe shenja trafiku.

Në mandatin e kaluar është punuar në lirimin e trotuarëve nga parkingjet e veturave, duke vendosur pengesa për veturat. Edhe pse janë kritikuar kungjat e qeverisjes së kaluar, shumë trotuarë janë më mirë se sa kanë qenë në mandatin e kaluar.

Fusha e Pajtimit || Foto: Kallxo.com

Por, Prishtina vazhdon të ketë problem serioz edhe me mungesë të parkingjeve. Në anketën “Indeksi i kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë” të realizuar nga INPO, që është publikuar në gusht të këtij viti, del se në listën e pakënaqësive të qytetarëve të Prishtinës, dominojnë mungesa e parkingjeve publike dhe pamundësia për të lëvizur lirshëm në trotuare. Të pakënaqur me mungesën e parkingjeve ishin deklaruar 81.51% e të anketuarve.

Gjetja e zgjidhjes për parkingje ka qenë njëra ndër premtimet kryesore të kryetarit Ahmeti. Janë iniciuar projekte për parkingje nëntokësore të cilat planifikohen të realizohet në partneritet me sektorin privat, mirëpo ato ende nuk janë jetësuar. Për ngecjen e këtyre projekteve ka pasur akuza në mes të krerëve të Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës. Komuna akuzon Komitetin për Partneritet Publiko Privat (i përbërë nga pesë ministra, në krye me ish ministrin Avdullah Hotin) se e kanë bllokuar projektin për parkingjet nëntokësore te Fakulteti Filologjik, ndërsa Ministria e Financave thotë se komuna nuk ka kryer obligimin e vet për të marrë leje nga Universiteti i Prishtinës.

Debat Pernime për Prishtinën

Parkingu nëntokësor tek UP-ja i premtuar prej vitesh, është sërish premtim i kandidatëve në këtë fushatë.

Ambienti

Prishtina ka telashe edhe me bërllokun dhe sidomos me ujërat e zeza dhe ajrin e ndotur. Në raportin e “Institutit GAP” thuhet se ka një mos menaxhimi i hapësirës të zona “Fusha e Pajtimit”, Lagja Kolovica ne drejtim të fshatit Llukar: Kjo zonë ngërthen rreth 17 hektarë tokë e cila kryesisht shfrytëzohet për hedhjen e mbeturinave inerte. Në vitin 2015 Komuna e Prishtinës ka nisur gjelbërimin e kësaj hapësire por e ka lenë në gjysme me arsyetimin se hapësira i takon Ndërmarrjes Regjionale të Ujit “Prishtina”. Komuna ka larguar qindra kamion me mbeturina nga kjo hapësirë më 2014, por dy vite më vonë mbeturinat inerte janë hedhur serish nga qytetarët duke e rikthyer pamjen e dikurshme të saj. Telashe ka edhe me mbledhjen e mbeturinave në qytet dhe në fshatra.

Problem mbetet edhe Deponia e Mirashit, ku përfundon bërlloku i Prishtinës. Hulumtimi i “Jeta në Kosovë” ka zbuluar se derdhja e mbeturinave atje është duke rrezikuar me shkaktim të një katastrofe ekologjike.  Po ashtu, shumica e lagjeve periferike nuk janë të pajisura me shporta të mbeturinave.

Ajri mbetet shqetësim serioz i banorëve të kryeqytetit. Ndotja vije e ajrit vije nga puna e termocentraleve të KEK-u, Termokosi, shtëpitë individuale dhe veturat. Në dhjetor të vitit të kaluar në matjet e bëra nga Ambasada Amerikane shifrat ishin alarmante. Ajri njëherë ishteshpallur “i dëmshëm” dhe në disa ditë edhe “pothuajse i rrezikshëm”. Kjo ndotje në ajër kryesisht vjen nga automjetet motorike, termocentralet ku digjet qymyri, djegia e drurit dhe linjitit nga banorët, zjarret në pyje, djegiet bujqësore dhe komplekset industriale.

Po ashtu, Kryeqyteti problem ka edhe me hapësira komunale të cilat vazhdojnë të mbahen të uzurpuara. Një listë e pronave të uzurpuara është identifikuar nga Komuna e Prishtinës.

Ndërtimet e egra dhe ngrohja

Prishtina i ka ndalë ndërtimet pa leje, por i ka dhënë rreth 500 leje tjera për një mandat. Kryeqyteti ka hyrë në fazë interesante të diskutimeve për ndryshime të planeve urbane, ndërsa hapësira të tëra të komunës vazhdojnë të mbahen të uzurpuara.

Foto: Kallxo.com

Nga moslegalizimi i objekteve të ndërtuara është ngulfatur një potencial i madh ekonomik. Qytetarët që kanë blerë banesa, në mungesë të pranimit teknik edhe legalizimit nuk mund t’i përdorin pasuritë e palujtshme për hipotekë bankare apo edhe nuk mund te shesin që e kufizon qarkullimin e asetve dhe mundësinë e gjenerimit të përfitimeve për qytetarët.

Ende ka fshatra të kryeqytetit që nuk janë të kyçura në rrjetin e ujësjellësit. Fshatrat: Sharbani, Koliqi, Dabishevci, Marevci, Keqekolla, Mramori, Mareci, Slivova, Grashtica & Siqeva janë ende  të palidhura në ujësjellës. E sipas Ujësjellësit është detyre e Komunës që të hulumtojë burime të ujit të pijes dhe të investohet pasi ujësjellësi merret vetëm me menaxhim dhe operim në sistemet rurale.

E një prej projekteve më të suksesshme është sigurimi i ngrohjes nga termocentralet e KEK-ut. Një hulumtim i GAP-it ka ardhur në përfundim se projekti i koogjenerimit e ka rritur mirëqenien e qytetarëve përmes rritjes së cilësisë së ngrohjes, si dhe ka ndikuar në uljen e kostos dhe prodhimit të energjisë termale. Zgjerimi i rrjetit i ka tri përparësi: sjell fakura më të lira për konsumatorët (sepse ata aktualisht ngrohen me rrymë ose qymyr), rrjedhimisht ka më pak konsumim të energjisë, më pak djegie të qymyrit e krejt kjo është e barabartë me më pak ndotje të mjedisit.

Por, projekti i ngrohjes së qytetit aktualisht mbulon vetëm 5% të konsumatorëve potencialë në kryeqytet (sipas GAP-it), që i bie që konsumatorë të Termokosit momentalisht janë vetëm 12 mijë qytetarë.

Operimi i taksive ilegalë dhe zhurma gjatë natës

Gjatë viteve të fundit kemi pasur disa herë protesta të kompanive të transportit publik për rritjen e numrit të taksive ilegalë, të cilët i bëjnë konkurrencë atyre. GAP se Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të ndalojë qarkullimin e taksive ilegalë. Kjo formë e veprimtarisë ka dëmtuar në masë të madhe kompaninë e trafikut urban e cila e ka të vështirë të sigurojë udhëtarë shkaku i lëvizjes se tyre me taksi ilegalë. Përveç dëmtimit të kompanisë Trafiku Urban, të dëmtuar rezultojnë edhe kompanitë e operatoreve privatë që janë të licencuar për bartjen e udhëtarëve në disa linja të Prishtinës. Komuna nga ana tjetër gjatë periudhës 2014-2017 ka ndërmarrë shtatë aksione të gjera për ndëshkimin e taksive ilegalë me qëllim të largimit të tyre. Rezultatet e aksioneve kanë qenë disa ditore dhe taksitë ilegalë janë kthyer sërish në linjat e ndryshme. Ata hasen kryesisht në linjën Prishtinë-Fushë Kosovë, Prishtinë-Podujevë dhe brenda qytetit të Prishtinës përkatësisht në relacionet për lagjen “Bregu i Diellit” dhe në relacionin drejt Parkut të Gërmisë.

Gjithashtu, problem për kryeqytetin është edhe zhurma e lokaleve gjatë natës. Sipas GAP, lokalet hoteliere që funksionojnë në Prishtinë e kanë të lejuar që muzika që dëgjohet jashtë lokalit mund të lëshohet vetëm deri në ora 24:00. Kjo në masë të madhe nuk respektohet duke shkaktuar kësisoj pakënaqësi për banorët që jetojnë veçmas në qendër të qytetit. Ky problem haset veçmas në rrugën “Rexhep Luci”, “Fehmi Agani”, në rrugën “Tringë Smajli” si dhe në afërsi të rrugës “B”.

Projektligji për Prishtinën që nuk u bë ende ligj

Pjesa më e madhe e problemeve të Prishtinës burojnë nga mungesa e një ligji të veçantë për kryeqytetin. Projekt-ligji për Prishtinën, i cili tash duhet t’u nënshtrohet procedurave në kuvend, i jep kryeqytetit disa benefite. Ndër tjera, ky projekt-ligj parasheh: buxhetin shtesë ne vlerën prej 4 përqind të grantit të përgjithshëm për komunat; të drejtën e themelimit të ndërmarrjeve publike komunale pa aprovime shtesë nga qeveria; shëndetësinë sekondare apo Spitalin e Qytetit dhe Drejtorinë e Policisë Komunale brenda Policisë së Kosovës që do të merret me Prishtinën.

Për bllokimin e ligjit të Prishtinës faji është hedhur herë në njërën parti e herë në tjetrën.

Ligji për Prishtinën parasheh që kryeqyteti të ketë një buxhet deri në 4 për qind të buxhetit të përgjithshëm. Shprehimisht në numra i bie që Prishtina do të këtë rreth 14.4 milionë euro më shumë buxhet.

Rrjedhimisht Prishtina do të ketë më shumë para, nëse miratohet ligji, por si do t’i shpenzojë ato, kur me buxhetin aktual Prishtina ka suficit vit pas viti.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka konstatuar se shkalla e realizimit të projekteve kapitale si dhe shpenzimi i mjeteve vetjake nga Komuna e Prishtinës nuk ishte në nivel të kënaqshëm. Sipas ZAP ekzekutimi i dobët i buxhetit do të rezultojë me shfrytëzim joefikas të fondeve që ka në dispozicion, ndërkohë që redukton efektivitetin e planeve të shpenzimeve sipas programeve.

Buxheti final i Prishtinës për vitin 2016 ishte planifikuar 73 milionë euro, mirëpo ishte realizuar vetëm 58 milionë euro, apo një shkallë e ekzekutimit në nivel prej 80%. Në vitin 2016, sipas Auditorit të Prishtinës janë realizuar investime kapitale në vlerë prej 20 milionë euro.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka konstatuar se shkalla e realizimit të projekteve kapitale si dhe shpenzimi i mjeteve vetjake nga Komuna e Prishtinës nuk ishte në nivel të kënaqshëm.

Auditori thotë se Komuna e Prishtinës të gjitha projektet kapitale i financon nga të hyrat vetanake, prandaj edhe ka pas realizim të ulët të projekteve kapitale, ku  vetëm 58 % e investimeve kapitale janë realizuar. Sipas Auditorit, me rritje të performancës, ekzekutimi i buxhetit për investime kapitale mund të rritet edhe për 20 për qind. Në raportin e publikuar këtë vit, Auditori ka listuar shumën e mjeteve që i kanë tepruar Komunës së Prishtinës. Në vitin 2014 janë bartur 5,9 milionë euro; në vitin 2015 janë bartur 16,3 milionë euro; në vitin 2016 janë bartur 6,3 milionë euro dhe në vitin 2017 janë bartur 7,2 milionë euro.

Regjistrimi i fundit i popullsisë tregon se kryeqyteti ka 204,721 banorë, por përafërsisht dyfishi i kësaj popullate llogaritet të qarkullojë për punë në kryeqytet.