Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Çmimi i Megavatit i ‘Kosovës së Re’ Deri në 80 Euro

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se çmimi maksimal që mund të arrihet për një megavat të prodhuar nga termocentrali i ri do të jetë 80 euro. Ky është tavani që sipas tij është vendosur dhe i njëjti do të respektohet.

Sipas tij, ky çmim i energjisë së prodhuar në termocentralin e ri do të ketë një ndikim prej 28 për qind në tarifat aktuale.

Çmimi i energjisë së prodhuar në “Kosovën e Re” do të jetë për 52 euro më shtrenjtë se çmimi aktual i megavatit të prodhuar nga dy termocentralet ekzistuese.

Bazuar në raportin Konsultativ të ZRRE-së për caktimin e tarifave për vitin 2016, çmimi i energjisë së prodhuar në KEK gjatë vitit 2016 ka pasur një kosto prej 28.15 euro/megavat orë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në një konferencë të pazakonshme në të cilën kanë marrë pjesë edhe studentët ka përmendur edhe çmimin e energjisë së importuar gjatë vitit të kaluar, duke thënë se është deri në pesëfish më i lartë se çmimi i energjisë që do të prodhohet nga termocentrali i ri.

“Që i bie që në çfarëdo lloj kushtesh, pra edhe të pikut, atëherë kur kërkesa për konsum është më e madhja, ne e kemi të garantuar pesëfish më ulët se sa këto vlera dhe për ketë arsye cilado që të jetë kostoja ne nuk do ta lejomë”, tha Stavileci.

Mirëpo, në dokumentet e ZRRE-së çmimi mesatar i energjisë së importuar për vitin 2016 është lejuar deri në 51.8 euro për megavat orë. Ky çmim është i lejuar dhe zakonisht përshtatet në fund të vitit bazuar në çmimin që është realizuar.

Bazuar në raportet e ZRRE-së, në vitin 2015 ishte arritur që importi të kryhet me një çmim mesatar prej 51.76 euro për megavat/orë.

Raporti i Zyrës së Rregullatorit të energjisë

Stavileci ka thënë se viti 2021 do të jetë koha kur do të fillojë funksionimi dhe prodhimi i energjisë nga termocentrali “Kosova e Re”.

“Ky është një projekt shumë i ndërlikuar. Ne sivjet e përmbyllim pjesën e marrëveshjeve financiare dhe tenderuese dhe nga viti i ardhshëm do të nisë puna për ndërtimin e termocentralit”, tha në diskutimin publik ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilevci.

Ai tha se gjatë javës së ardhshme do të ketë edhe vizita në terren ku do të ndërtohet termocentrali,  nga Banka Botërore dhe donatorët e tjerë.

Ministri Stavileci tha se deri në 10 mijë persona pritet të punësohen gjatë 3 deri në 4 viteve të ndërtimit të këtij termocentrali.

Por, ai shton se kriteri kryesor vazhdon të jetë që të sigurohet furnizim i rregullt me energji elektrike dhe të ketë përballueshmëri të çmimeve.

“Rrumbullakimi i sovranitetit tonë do të jetë atëherë kur të jemi të pavarur energjikisht”, tha Stavilevci.

Arben Gjuka, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, në këtë debat publik pyeti Stavilecin se sa ky termocentral do të sigurojë ambient të shëndetshëm, si dhe a do t’u përmbahet standardeve evropiane, të cilat pritet që të fillojnë të zbatohen nga viti 2024-2026 në lidhje me ruajtjen e ambientit.

“Ne edhe në bisedat që i kemi pasë me investitorin këto shqetësime kanë qenë edhe tonat, që të bëjmë zgjidhje edhe për mjedisin… Ju e dini që jemi nënshkrues të Traktatit të Energjisë. Ne do të mundohemi që gjatë tërë kohës të gjitha zgjidhjet që do të jepen do të jenë në përputhje me standardet që kërkohen”, u përgjigj ministri Stavileci.

Ministri edhe një herë ceku që për Qeverinë e Kosovës nuk ka pengesa që në tenderin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” është  vetëm një tenderues.

Stavilevci tha se ata kanë krijuar edhe një fond prej 10 milionë euro përmes të cilit do të mbështeten zonat ku do të operojë “Kosova e Re”, ndërsa shtoi se banorët e këtyre zonave do të jenë më të privilegjuar në punësim dhe gjëra të tjera.

“Do të themelojmë një fond për zhvillimin e komunitetit, ku do të përfitojnë banorët e zonës. Të ndahet një përqindje e caktuar, që do të shkojnë deri në 20 për qind për banorët e zonave ku do të zhvillohet projekti. Kjo është e rregulluar edhe me një nen të Ligjit. Vlera do të jetë deri në 10 milionë euro për 7 vite, që është fond shumë më i madh se sa që e ka Komuna e Obiliqit”, tha Stavileci.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik nuk dha një datë ose një përgjigje konkrete në lidhje me fatin e termocentralit “Kosova A”.

“Në parim fati i ‘Kosovës A’ është i lidhur me fatin e ‘Kosovës së Re’, në këtë vizion që ne e kemi përhapur tashmë me të gjitha palët e interesit zgjidhjet e qëndrueshme në vete përfshijnë edhe alternativa. Deri në futjen në funksion të ‘Kosovës së Re’, ne do të shtjerrim të gjitha alternativat në lidhje me të”, tha ai.

Në nëntor 2015, një grup i organizatave të shoqërisë civile në Kosovë ka paralajmëruar se ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ do të ndikojë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 30%.

http://kallxo.com/kosid-me-termocentralin-kosova-e-re-rryma-30-me-shtrenjte/

Ndërsa në shkurt të këtij viti, Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka njoftuar se ka dërguar në Prokurorinë e Shtetit dhe në EULEX dosjen e projektit për ndërtimin e termocentralit 500 megavatësh, në të cilën sipas tyre  i kanë përfshirë të gjitha shkeljet që i ka bërë Qeveria e Kosovës që nga inicimi i tenderit për ndërtimin e termocentralit.

http://kallxo.com/dosja-shkelje-e-tc-kosova-e-re-dergohet-ne-prokurori/