PDK: Qeveria po rrezikon t’i lërë qytetarët në terr e pa ngrohje gjatë dimrit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) thotë se Qeveria aktuale e ka lënë Kosovën tërësisht të papërgatitur për t’u përballur me pasojat e krizës energjetike.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci, në një konferencë për media duke krahasur rritjen që ka përjetuar Evropa të çmimeve të energjisë elektrike, thotë se Qeveria e Kosovës është treguar neglizhente dhe “nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ta adresuar këtë krizë, e cila afrohej me shpejtësi”.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj më të thellë për gjendjen e krijuar në vendin tonë, veçanërisht kjo që lidhet me situatën e furnizimit të rregullt me energji elektrike, e cila po bën që qytetarët tanë t’i vuajnë pasojat e rënda dhe po krijon pasiguri të madhe tek të gjithë. Qeveria aktuale e ka lënë Kosovën tërësisht të papërgatitur për t’u përballë me pasojat e krizës energjetike, të cilën e kemi paralajmëruar shumë muaj më parë, e edhe përkundër këtyre paralajmërimeve, fatkeqësisht ajo as sot e kësaj dite nuk e ka ndërmarrë ndonjë veprim”, tha Stavileci.

“Paralajmërimi ynë se kjo krizë e kërcënon seriozisht furnizimin e rregullt dhe me çmime të përballueshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar kështu stabilitetin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe vetë sigurinë kombëtare doli realitet, ndërkaq Qeveria, jo që nuk ka bërë ndonjë veprim konkret, por, përkundrazi, aq shumë e ka neglizhuar situatën sa që çdo ditë po shohim duke kolapsuar një pjesë e sistemit, siç ndodhi sot edhe me ngrohtoren e kryeqytetit”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës jo vetëm që është treguar e paaftë dhe e papërgjegjshme për t’i paraprirë zgjidhjeve të gjendjes së vështirë energjetike të dimrit, dhe shton se ka ndërmarrë veprime “të dëmshme në fushën e energjisë, me dështimin, refuzimin dhe bllokimin e projekteve strategjike, të cilat do ta zgjidhnin çështjen e sigurisë së furnizimit”.

Stavileci tha se PDK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të tregohet e përgjegjshme dhe të angazhohet menjëherë në koordinim me aktorët e tjerë të sektorit të energjisë për aprovimin e këtyre masave si pako emergjente ndaj situatës me qëllim që të përballohet sezoni i dimrit si dhe të evitohet shoku tarifor para prillit të vitit të ardhshëm kur aprovohet tarifa vjetore.

Pasi foli për krizën energjetike dhe keqmenaxhimin e qeverisë aktuale me këtë sfidë, Stavileci propozoi në emër të PDK-së që menjëherë të ndërmerren këto masa:

-Të shpallet gjendje emergjente e furnizimit me energji, sipas Ligjit për Energji, neni 25.

-Të vendoset çmimi tavan për tregun e brendshëm dhe devijimet nga ky çmim të subvencionohen nga qeveria.

-T’i kthejë në konsumatorë të rregulluar të gjithë ata të cilët janë në tregun e lirë, me qëllim që të bëhet socializimi i kostos së tyre të importit të energjisë për periudhën sa kjo krizë do të jetë prezente.

-T’i hiqet tantiema në qymyr KEK-ut dhe proporcionalisht të ulet çmimi i shitjës së kësaj Korporate me qëllim që ky përfitim të bartet tek konsumatori final.

-Të trajtohet me prioritet debllokimi i linjave të transmetimit me Serbinë (të cilat janë bllokuar nga dhjetori i vitit të kaluar) në mënyrë që të evitohen kostot e larta të transmisionit, si dhe të lehtësohet tregtimi me energji.