PDK: Jemi kundër rritjes së çmimit të rrymës, Qeveria të mos e ngarkojë xhepin e familjeve kosovare

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka shprehur shqetësimin e kësaj partie lidhur me propozimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Sipas Stavilecit kjo gjë që do ta godas rëndë xhepin e qytetarëve të Kosovës, që tashmë është rënduar nga përballja me pandeminë.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin më të thellë për gjendjen e krijuar në vendin tonë, sidomos pas propozimeve për shtrenjtimin e energjisë elektrike, të cilat do t’i godasin rëndë qytetarët e vendit tonë në cilësinë e konsumatorëve të rregullt, amvisëritë dhe bizneset”, tha Stavileci.

Sipas tij, kjo rritje do të rëndojë edhe më shumë mirëqenien sociale të qytetarëve dhe pabarazinë sociale, veçanërisht në kohën kur edhe ashtu të gjitha çmimet e produkteve primare të konsumit janë rritur dhe kjo rritje sipas Stavilecit do të vazhdojë me efekte zingjirore edhe më të mëdha.

“Përmes kthimit te blloktarifa po tentohet të zhvendoset piku i konsumit dhe të stimulohet kursimi, por në të njëjtën kohë kjo rritje po përcillet me një diskriminim të drejtpërdrejtë për konsumatorët, të cilët energjinë elektrike e kanë si burim të vetëm të ngrohjes, e në anën tjetër nuk po shohim asnjë masë të mbështetjes së mirëfilltë nga Qeveria qoftë në ofrimin e burimeve alternative qoftë në efiçencën e energjisë”, tha ai.

Stavileci shtoi se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston e rritjes të krejt sistemit apo të 70% të konsumatorëve të tjerë.

“Kjo rritje mund të adresojë nevojat për koston e sistemit në periudhën para nesh, por nuk ka asnjë përgjigje se si do të trajtohen borxhet aktuale mes palëve të sektorit të cilat kalojnë shifrën e 100 milionë eurove. Për më shumë, sot rrjeti ynë i transmisionit KOSTT, si shtylla kryesore e sigurisë së furnizimit, është para kolapsit financiar”, tha ai.

Anëtari i PDK-së tha se qeveria po na kthen me vetëdije të plotë tek subvencionimi i tarifave dhe te reduktimet dhe po instalon pabarazi dhe diskriminim.

“Sipas planeve të paralajmëruara Qeveria ka premtuar subvencionim të sektorit për periudhën e ardhshme me rreth 75 milionë euro, por nga ana e saj nuk kemi asnjë informacion se cili do të jetë burimi i këtyre mjeteve, pasi që nuk kemi pozicion të tillë të paraparë me buxhetin e vitit 2022, edhe pse  periudha në të cilën është draftuar dhe miratuar buxheti ka qenë periudhë e krizës së filluar dhe të paralajmëruar energjetike nga të gjitha qarqet”, shtoi ai duke thënë se nuk ka transparencë se si dhe cili do të jetë mekanizmi shpërndarës i këtij subvencionimi dhe mekanizmi monitorues i implementimit.

Stavileci i ka bërë thirrje Qeverisë që të tregohet e përgjegjshme, të dëshmojë aftësi dhe kompetencë, e jo padrejtësi dhe diskriminim, që qytetarëve t’u sigurojë energji të mjaftueshme pa ngritje të çmimeve.

Ndërkaq, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatët e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Rregullatori ka treguar disa shembuj se sa do të rriten tarifat e energjisë elektrike pas aplikimit të kësaj rritje. Konsumatorët që kanë shpenzuar 600 kilovat nuk do të kenë rritje të çmimit, rrjedhimisht do të paguajnë një faturë prej rreth 35.86 euro (niveli i faturës mund të ndryshojë në vartësi të konsumit që bëjnë gjatë natës dhe ditës).

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme është bërë i ditur njoftimi i Ministrisë së Ekonomisë ku zotojnë 75 milionë euro subvencionim të energjisë për qytetarët dhe bizneset.