Ekskluzive: Përmbytet Pallati i Drejtësisë, Dëmtohen Dosjet e Prokurorisë

Nuk kanë të ndalur problemet e funksionimit të Pallatit të Drejtësisë.

Dosje me lëndë penale të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe softueri me kamerat e Sigurisë së Gjykatës së Apelit janë mbuluar nga uji pas rrebeshit të shiut i cili ka rënë pasdite në Prishtinë.

Kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka tha për KALLXO.com se prokuroria e tij është vërshuar nga uji gjatë ditës së sotme.

Beka i cili e ka shoqëruar ekipin e KALLXO.com në zyrat e disa prokurorëve ka thënë ka thënë se disa lëndë janë lagur nga uji ndërsa të dëmtuar janë edhe disa kompjuterë të cilët janë përfshirë nga uji. (Shih Videon)

Uji e ka kapluar edhe zyra të Gjykatës së Apelit. Asllan Rusinovci, kryetar i Shoqatës së Judikaturës i ka konfirmuar KALLXO.com se uji në zyrën e tij ka dëmtuar serverin ku ruhen pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë së kësaj gjykate.

Ai poashtu ka konfirmuar se në këtë gjykatë uji ka dëmtuar pajisjet të cilat ndodhen në zyrën e gjykatëses Fllanza Kadiu.

Zyrtarë të Pallatit të Drejtësisë kanë konfirmuar se sot janë vizatuar nga zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike mirëpo ende nuk dihen shkaktarët e përmbytjes së zyrave të pallatit.

Kjo ndërtesë e cila ka kushtuar rreth 30 milionë euro dhe është ndërtuar me funde të Bashkimit Evropian, ishte përuruar vetëm disa muaj më parë ndërsa gjatë tërë kësaj kohe ajo është përballur me telashe.