Gjykimi për vizat | Foto: KALLXO.com

Deklarojnë Pafajësinë të Akuzuarit për Vizat

Tre të akuzuarit e procesit gjyqësor për dhënien e paligjshme të vizave italiane shengen në këmbim të pagesës ndaj të cilëve nuk u zhvillua seanca fillestare më 11 janar, sot u deklaruan të pafajshëm.

Seanca fillestare për këta të tre ishte paraparë për sot, pasi ata nuk ishin të pranishëm në gjykatë para një jave.

Për herë të parë që nga nisja e procesit gjyqësor në të cilin pos tjerësh janë të akuzuar edhe ish-deputeti Ukë Rugova dhe ish-ministri Astrit Haraqija, në gjykatë u paraqit Liridona Beqiri, e cila mungoi deri tash në të gjitha seancat fillestare të këtij procesi gjyqësor.

Seanca e parë fillestare e gjykimit të 20 personave u zhvillua më 30 gusht të vitit të kaaluar kur Ukë Rugobva dhe të tjerët u deklaruan të pafajshëm.

http://kallxo.com/uke-rugova-deklarohet-i-pafajshem/

Por pastaj gjyqtari i EULEX-it që e kishte këtë gjykim e kreu misionin e tij, ndërsa rastin e mori një gjyqtar tjetër.

Për këtë arsye seanca fillestare u përsërit edhe më 11 janar, kur munguan të akuzuarit Liridona Beqiri, Haxhi Islami dhe Hasan Shaqiri.

http://kallxo.com/uke-rugova-deklarohet-i-pafajshem-2/

E akuzuara Liridona Beqiri sot mungesën e saj e arsyetoi me probleme shëndetësore, duke paraqitur në gjykatë dokumente mjekësore që i vërtetonin këtë gjendje.

Ajo erdhi në seancë me dy foshnjat e saj.

Sipas aktakuzës, Ukë Rugova ka krijuar organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar aktivitetet e një grupi kriminal qëllimi i të cilit ishte përfitimit material duke furnizuar individë me Viza Shengen të BE-së nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga 31 korriku 2012 deri më 5 shkurt 2014 Ukë Rugova ka udhëhequr grupin kriminal në marrjen e 556 vizave italiane shengen nga Ambasada e Italisë në Prishtinë.