Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zotimet për emërimin e grave në krye të drejtorive në Junik

Kandidatët për kryetar të Junikut, në Debat Pernime kanë dhënë premtimet e tyre për udhëheqjen e drejtorive nga gratë në këtë komunë.

Kandidati për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu nga LDK-ja, ka thënë se do të tentojë që të emërojë 50 për qind gra si drejtoresha. 

 “Edhe në kandidimin nëpër Asamble Komunale unë e kam kaluar 42-43 për qind është pjesëmarrja e grave dhe në këtë drejtim do e plotësoj edhe këtë standardin, mbi 30 për qind do të jenë gra. Do të tentoj ta bëjë edhe mbi 50 për qind, gratë janë shumë më punëtore sesa ne”, tha ai.

 Ndërkaq, kandidati për kryetar të Komunës së Junikut, Besart Tofaj nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do ta plotësojnë kuotën gjinore.

“Do të dalim përtej kësaj do të kemi 4 nga 7 drejtori do të udhëhiqen nga gratë dhe vajzat”, u shpreh ai.

Kurse, kandidati për kryetar të Komunës së Junikut, Agron Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shprehi mundësinë që të respektojë kuotën gjinore për drejtoritë.

“Me kandidatët për Asamblenë Komunale nga AAK, 50 për qind janë të gjinisë femërore, 50 për qind të gjinisë mashkullore, kështu që kemi startuar mirë me këtë program. Besoj se njëjtë do të jemi edhe mandatin e ardhshëm të qeverisjes”, tha ai. 

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Junikut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Junikut, Agron Kuçi nga AAK; Besart Tofaj nga LVV dhe Ruzhdi Shehu nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Junikut: Erleta Qestaj dhe Festina Maloku nga AAK; Lirjeta Shehu dhe Vjollca Qestaj nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.