Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Djali i kryetarit të Junikut caktohet u.d i shefit të Prokurimit në Komunën e Prishtinës

Visar Shehu, djali i kryetarit të Junikut Ruzhdi Shehu, është caktuar si ushtrues detyre i shefit të Prokurimit në Komunën e Prishtinës. Kjo Komunë udhëhiqet nga Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti nga e cila vjen edhe vetë kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu.

Komuna e Prishtinës në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se zyrtari i lartë i prokurimit, Visar Shehu është caktuar si u.d udhëheqës i sektorit të Prokurimit në këtë komunë më datën 14 shkurt 2023..

Sipas tyre, ish-ushtruesit paraprak të kësaj pozite i ka skaduar mandati i përcaktuar ligjor dhe pozita si e tillë ka qenë e lirë.

“Ish-ushtruesit paraprak të kësaj pozite i ka skaduar mandati i përcaktuar ligjor dhe pozita si e tillë ka qenë e lirë dhe është dashur të mbulohet domosdoshmërisht. Përndryshe konkursi publik për këtë pozitë pritet të shpallet brenda një afati mjaft të shkurtër (sipas kufizimeve ligjore)” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama deklaron se caktimi i Visar Shehut si U.d. i pozitës në fjalë është bërë duke respektuar të gjitha procedurat dhe dispozitat ligjore në fuqi.

Sipas tyre, përzgjedhja e tij për të marrë përsipër këtë obligim shtesë në punën e tij konsiston në faktin që i njëjti ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara ligjore.

“Vlen të theksohet se i njëjti ka të dëshmuara mbi dhjetë (10) vite të përvojës profesionale duke përfshirë edhe përvojën menaxheriale (në prokurim publik apo në fusha të përafërta). Para se i njëjti të punësohet në Komunën e Prishtinës (përmes konkursit publik, transparet dhe në përputhje me ligjin), ai ka punuar edhe në institucione të rëndësishme të sigurisë (IPK dhe MPB)” – thuhet në përgjigjën e Komunës së Prishtinës.

Nga Komuna shtojnë se nuk bëhet fjalë për asnjë formë të ndikimit pasi sipas tyre, një veprim i tillë në rastin konkret është i pamundshëm për të ndodhur rrjedhimisht e madje edhe “i palogjikshëm”.

Një gjë e tillë, thonë se as që është kontestuar ndonjëherë që nga caktimi i Visar Shehu në këtë detyrë.

“Në këtë mënyrë janë të pakontestueshme kapacitetet e tij profesionale, integriteti dhe kriteret tjera ligjore mbi bazën e të cilave ai është duke i shërbyer Komunës së Prishtinës. Pra nuk bëhet fjalë për asnjë formë të ndikimit pasi që një veprim i tillë në rastin konkret është i pamundshëm për të ndodhur rrjedhimisht edhe i palogjikshëm” – deklaruan nga pushteti kryeqytetas.

Visar Shehu ka qenë hetues i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

KALLXO.com ka tentuar që të marrë një përgjigje edhe nga vetë Visar Shehu por i njëjti nuk ka dashur që të deklarohet duke i qëndruar pas përgjigjeve të cilat i ka dërguar Komuna e Prishtinës.

Ndërkaq, kryetari i Junikut Ruzhdi Shehu ka deklaruar se nuk ekziston asnjë “formë e ndikimit në punën apo pozitën që ushtron djali i tij”.

“I njëjti është zgjedhur përmes procedurës së rregullt ligjore në vendin e tij të punës sipas konkursit publik” – tha shkurt Shehu.

Shehu prej vitit 2001 deri në 2006 ka qenë Këshilltar Komunal në Kuvendin Komunal të Deçanit nga radhët e LDK-së.

Ai në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 ishte kandidat i LDK-së për deputet, por që nuk kishte arritur t’i marr votat e duhura.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Ruzhdi Shehu ka kandiduar për kryetar të Komunës së Junikut.

Pas 12 viteve, Ruzhdi Shehu arriti që t’ia rikthej këtë Komunë, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por ky nuk është rasti i vetëm që KALLXO.com ka raportuar për punësimet në qeverisjen e Përparim Ramës.

Dy javë më parë, KALLXO.com ka raportuar Edona Vitija, vajza e asamblistit të Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Milazim Vitija, është përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme për një pozitë brenda Ndërmarrjes Publike Lokale “Kuzhina Qendrore”.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për punësimet që janë kryer me baza politike në Ndërmarrjet Publike Lokale në kryeqytet.

Në shtator 2022, një asamblist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fisnik Osmani është emëruar kryeshef në ndërmarrjen publike lokale “Termokos”.

Në tetor 2022, në krye të ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” është zgjedhur Sokol Havolli, ish-këshilltar politik i ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe së fundmi zv/guvernator i Republikës së Kosovës.

Më 1 nëntor 2022, KALLXO.com raportoi se Bardh Krasniqi, ish-këshilltar i Përparim Ramës dhe ish-kandidat për asamble në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së, është zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”.