Debat Pernime, Deçan. Foto :Atdhe Mulla

Si të Hiqen Qafe Kolonat e Veturave në Deçan?

Në emisionin Debat Pwrnime, kandidatët për kryetar të Komunës së Deçanit dhanë premtimet e tyre për rregullimin e infrastrukturës para moderatores Jeta Xharra.

Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se kanë përpiluar planin qeverisës dhe do të ndërtojnë rreth rrotullim i cili do të kushtojë 2 milionë euro.

“Kolonat e gjata janë problem evident. Fatkeqësisht nuk i kemi trajtu dinjitetshëm si komunë për shkak ka kushtu kostoja e shpronësimit të pronave. E kemi projektin në detaj për të cilin kemi apliku në qeverinë  e Kosovës është projekt që kap shifrën vetëm për rreth rrotullim mbi 2 milionë euro. Sa i përket rrugëve është një kosto rreth 1.7 milion euro. Projekti për rregullim prej Isniqit deri te Carrabregu unë jam i sigurt se do zgjidhet brenda vitit 2018. Do të jetë rrugë me tri korsi”, tha Ramosaj.

Blerand Kadriaj nga Partia Demokratike e Kosovës tha se rruga kryesore e cila po krijon kolona të gjata do të bëhet me tri korsi.

“Ne kemi përfshirë në plan program shumë projekte infrastrukturore sidomos trotuare për nxënës. Sa i përket rrugës që po shkakton kolona të gjata nuk besoj që ka me qenë mirë zgjerimi me tri korsi, ne si alternativë e kemi ndërtimin e një transiti që do të jetë nga hyrja e Isniqit deri te Carrabregu”, tha Kadriaj.

Mal Lokaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se brenda mandatit katër vjeçar do ta bëjnë rregullimin dhe zgjerimin e rrugëve dhe trotuareve.

“Ne me ardhjen tonë në pushtet brenda 4 vitesh do ta bëjmë rregullimin dhe zgjerimin e rrugës ekzistuese, do të bëjmë zgjerimin e trotuareve, por nuk jemi të pajtimit edhe ne që në mes të Deçanit të krijojmë një mini- autostradë që me nda Deçanin në dysh. Përmes ekspertëve të Deçanit do të përpilojmë një projekt më të mirin të mundshëm. Jo vetëm për Dubravën por të gjitha trotuaret kemi me i rregullu”, tha Lokaj.

Shkodran Imeraj kandidati nga Nisma për Kosovën, u përgjigj në pyetjen nga banorët e Insiqit për rregullimin e infrastrukturës.

“Mendojmë që rrugët në Isniq, mendojmë që do të përfundojnë brenda një mandati 1 vjeçar”, tha Imeraj.

Zekë Sinanaj nga Lëvizja Vetëvendosje premtoi se do të ketë shtrim të rrugëve në fshatin Llukë.

“Te fshatrat e Llukës rruga ka qenë e asfaltuar mirë, por duke parë që nuk ka pas planifikime të duhura më vonë ka hyrë kanalizimi dhe tash është një gjendje kaotike, kjo do të thotë që ka pasur keq menaxhim nga qeverisja e kaluar. Po premtoj që rrugët të cilat kanë mbetur pa u ndërtu do të ngriten në të gjitha pjesët po ashtu ka raste kur për shkak të bindjeve partiake rrugët nuk kanë shkuar”, tha Sinanaj.

Për të shikuar debatin me kandidatët e Komunë së Deçanit, klikoni në linkun më poshtë:

https://www.youtube.com/watch?v=hmIRvLj43Ns​