Debat Pernime, Vushtrri. Foto: Atdhe Mulla

Replika VV- LDK për Programet Qeverisëse të Vushrrisë

Në Debat Pernime, kandidatët për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga Vetëvendosje dhe LDK replikuan mes vete për temën e programit qeverisës së mandatit të ardhshëm për të cilin Besim Muzaqi tha se ky program po kopjohej nga subjektet tjera politike.

Muzaqi që kandidon për kryetar të Vushtrrisë nga Vetëvendosje për zgjedhjet e 22 tetorit tha se programi i LVV për Prishtinën po merret shembull për qeverisje.

“Mendoj se të flasim për ndryshim dhe të flasim për gjërat që realisht janë marrë nga programi i Shpend Ahmetit në Prishtinë dhe të akuzojnë për mos hapje të komunës. Mendoj se qytetarët e vlerësojnë vet. Sa i përket zhvillimit të rinisë, partia ne pushtet mund ta sheh nëse  e merr pamjet e ikjes së qytetarëve nga Vushrria dhe të shoh çfarë zhvillimi ka pasur”, tha Muzaqi.

Xhafer Tahiri nga LDK replikoi në atë çfarë tha Muzaqi, duke thënë se në debat po flet për vizione jo për kopjime.

“Unë e sfidoj Besimin që të flasim për vizionet tona dhe jo të kopjojmë pamfletet dhe t’i paraqesim para qytetarëve të Vushtrrisë. Kjo është kontrata ime me qytetarët e Vushtrrisë dhe jap besën e shqiptarit që do ta realizojmë mandatin e ardhshëm”, tha Tahiri duke treguar ngritur një kopje të programit të tij.

Besim Muzaqi vazhdoi të insistojë duke thënë se “programi po kopjohet por duhet pasur guxim të implementohet”.

“Të flasim për kopjim ka të bëjë me profesion. Për sa i përket kopjimit të programit është mirë që po kopjohet programi i Vetëvendosjes por të njëjtit nuk kanë guxim ta implementojnë”, tha Muzaqi.

Xhafer Tahiri tha se programi i LVV-së nuk funksionon në Vushtrri.

“Unë të sfidoj të flasim secilën do pikë që kam kopju nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili nuk është program por ideologji e tejkaluar, e bazuar në marksizëm nuk mund të funksionojë në Vushtrri”, tha Tahiri.

Muzaqi replikoi duhet thënë se Vushtrria nuk mban mend asgjë të mirë nga qeverisja e PDK-së, dhe dy mandate nga LDK-ja.

Xhafer Tahiri i ktheu replikën Muzaqit duke i thënë se kërkon vizionin e tij e jo të VV-së.

“Dua të dëgjoj vizionin tënd jo çka të ka shkru Vetëvendosja, vizionin tënd dua të dëgjoj”, tha Tahiri.