Debat Pernime, Hani i Elezit. Foto: Kallxo.com

Preokupimet Lokale e Qendrore të Hanit të Elezit

Në Debat Pernime, kandidatët për kryetar të komunës së Hanit të Elezit paraqitën programet e tyre qeverisëse për mandatin e ardhshëm në këtë komunë.

Kandidati nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Florim Shkreta tha se ka pesë shtylla kryesore në programin e tij për qeverisjen në këtë komunë.

“Platforma ime për mandatin tim është bazuar në 5 shtyllat kryesore, nevojat e rëndësishme të Hanit të Elezit. Zhvillimi ekonomik, shërbimet publike, shërbimet shëndetësore, arsimi, kultura, rinia dhe bujqësia. Punësimi është nevojë e domosdoshme dhe kjo do jetë prioritet. Sa i përket shërbimeve publike, do t’i kushtojmë rëndësi më shumë ujit, gjithashtu do të trajtojmë mbeturinat në të gjithë territorit tonë. Sa i përket ambientit hapi I parë do jetë tërheqja e aparatit për matjen e ndotjes së ambientit. Tek arsimi do të jetë cilësore eliminimi i familjarizimit nëpër shkollat e komunës tonë”, tha Shkreta.

Kandidatja nga LDK, Hyrijete Isufi, tha se do të angazhohen që të kenë qeverisje transparente dhe me ligj.

“Do të angazhohem për një qeverisje të bazuar në rend ligj dhe kushtetutë, një qeverisje transparente dhe me duar të pastra, një qeverisje cilësore pa nepotizëm, familjarizim, një qeverisje me dinjitet duke I ofruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Programi ynë parasheh, infrastrukturë, zhvillim I ekonomisë, menaxhim I buxhetit, arsimi, shëndetësia, rinia e sporti kultura e shumë të tjera”, tha Isufi.

Kandidati i Pavarur Rufki Suma, i cili synon mandatin e tretë në krye tëkomunës, tha se do të vazhdojnë të realizojnë kërkesat e qytetarëve të Hanit të Elezit.

“Kam qenë dy mandate, e dinë qytetarët çka kam punuar, duke filluar nga infrastruktura, kanalizimit e shumë çështje të tjera. Pos projekteve që janë realizuar këto mandate janë marrë edhe shumë vendime të rëndësishme, si padia ndaj Serbisë për krimet e bëra në Han të Elezit, padia ndaj AKP-së, për shitjen e jashtëligjshme të fabrikës së çimentos, heqja e shpenzimeve të varrimit për të gjitha rastet mortore. Ndërsa për vitet e ardhshme do të mundohemi të realizojmë të gjitha kërkesat e qytetarëve të Hanit të Elezit”, tha Suma.